Pyetja:
Jam 25 vjeçare dhe jam në lidhje me një djalë qe një vit e gjysmë, por kohën e fundit lidhja ime kalon në kriza shumë të mëdha. Nga ana ime është gjithnjë në rregull po ai ndryshon shumë shpesh! Ka raste kur më ofendon, më nënçmon, më shfrytëzon… Njëherë më thotë se do të jemi bashkë gjithmonë, se më duhet pak kohë të mblidhem financiarisht dhe do të martohemi, por kalojnë disa ditë dhe më thotë nuk dua të jem me ty, çka ka lidhje nëse të kam thënë se do të martohemi, tash nuk dua! Shumë herë përsëritet kjo procedurë dhe më është lodhur shpirti, nuk mundem kështu! Po frikohem që t’i them të ndahemi përfundimisht sepse nuk dua ta humbi! E vetmja gjë që më jep pak shpresë është përkrahja që e kam nga ana e familjes së tij! I lutem Zotit ditë e natë të më ndihmojë që ta gjej një zgjidhje se kam shumë nevojë! Çka më preferoni ju, a të jem unë ajo që t’i jap fund kësaj pune?
***
Përgjigjja:
Kur përmendni lidhjen tuaj me një djalë, duhet ta përmendni natyrën e lidhjes, që të dimë se si të përgjigjemi. Duhet ta dimë se lidhjen e keni të ligjshme apo të paligjshme në bazë të parimeve të Sheriatit lidhur me të drejtën martesore, pasi në bazë të lidhjes dhe nivelit të thellimit në të, do të ndryshonte edhe përgjigja.
Sigurisht se këtu nuk bëhet fjalë për martesë, andaj edhe unë po përgjigjem sipas situatave të tjera të mundshme.
Nëse jeni e fejuar dhe e kurorëzuar, atëherë shpejtojeni procesin e jetesës së përbashkët, respektivisht martesës, sepse ashtu larg njëri-tjetrit, por me të drejta të zgjeruara, shejtani e ka më lehtë të luajë me të ardhmen tuaj dhe t’ju ndajë ende pa u martuar.
Nëse jeni vetëm e fejuar, dijeni se thellimi i lidhjeve tuaja prej komunikimit e deri në masë më të thellë është i ndaluar – haram, andaj kërkohet urgjentisht të pendoheni për takimet, ndejat etj., dhe më pas të shikohet se çfarë të ndërmerret. Nëse thjesht jeni fejuar dhe nuk është prekur nderi i juaj, derisa i fejuari ka dilema të përditshme lidhur me vazhdimin apo jo të jetës me ju, atëherë prisheni fejesën, pasi që shenjat e fillimit tregojnë për një mos-rehati mes jush dhe së këndejmi, pasi të sqaroheni mirë me të se është serioz apo jo në atë që e thotë vendosni për hapat e mëtutjeshëm, pra për ndarje nëse ai është në dilemë, apo për mbetje nëse ai është serioz në jetë.
Nëse me të fare nuk jeni fejuar, por keni “lidhje” familjare dhe ti i ke dhënë atij vetën tate, atëherë këtë gabim, përveç pendimit të sinqertë tek Allahu, duhet ta analizosh më me përpikëri se si të dilet prej tij, duke mos u cenuar nderi dhe morali yt, si dhe duke mos jetuar me personin që jetës nuk i jep shije të mirë. Varësisht se ku kanë arritur lidhjet tuaja, vendosni komfor interesit tuaj të mëtutjeshëm! Dua të them që nëse nuk ke shkuar larg me të, këpute lidhjen dhe inshaallah gjendet ndonjë zgjidhje më e mirë për ty në ndonjë vend tjetër, e nëse keni bërë gabimin që shpesh ndodh, pra jeni “martuar” para kohës dhe atë që Allahu e ka bërë shkak për jetesë martesore të ndershme e keni shfrytëzuar para martesës, gjë që e keni humbur mundësinë e kushtëzimit, të cilën ua ka dhënë Allahu, atëherë duro e mos u ndaj, në mënyrë që mos të cenohet morali i juaj përjetë. Më e mirë do të ishte jeta me partner jo të përshtatshëm sesa jeta e një të pamartuare, që nuk është për djalë beqar.
Në kuadër të kësaj që thashë, le të kenë kujdes të gjitha femrat dhe mos të mashtrohen me askënd e të thellohen në lidhje, edhe nëse ai djalë duket i sinqertë dhe premton për jetë të suksesshme martesore, sepse fundja një gjë e tillë është e ndaluar para martesës. Djali i sinqertë, le ta shpreh sinqeritetin dhe devotshmërinë edhe në durim, dhe le të pret deri sa të vjen koha për martesë!
Në anën tjetër, edhe femrat mos t’i joshin djemtë me veshjet dhe sjelljet e tyre, që ata të kërkojnë më pas prej tyre gjëra të shtrenjta, të cilat asaj mund t’i kushtojnë me jetë të parehatshme!
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku