Pyetja:

Jam 30 vjeçare, bëj namaz rregullisht, por nuk jam e martuar. A ka ndonjë dua apo si të veprojë që Allahu të më ndihmojë?

***

Përgjigjja:

Na brengos çështja e moskërkimit të dorës suaj për martesë nga njerëz adekuatë, që po ashtu kërkojnë femër që kryen obligimet fetare si namazi, etj. Lus Allahun që ju dhe çdo femër që synon ta ruajë nderin dhe moralin e vet, të martohet dhe të krijojë familje sipas parimeve të Sheriatit, gjithashtu t’ua lehtësojë një gjë të tillë dhe t’ju shpërblejë për nijetin tuaj. Lus Allahun gjithashtu që t’ua shtojë durimin tuaj.

Nuk kemi ndonjë dua të posaçme nga ajetet e Kuranit apo hadithet e të Dërguarit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, që ka të bëjë drejtpërdrejt me lutjen për martesë. Por, mund të bëhen dua të rëndomta që njeriu i drejtohet Allahut të Madhërishëm, me kusht që ato lutje të mos përmbajnë ndonjë kuptim të ndërmjetësimit. Megjithatë, ju preferojmë të bëni këto dua të përgjithshme nga Kur’ani dhe Sunneti:

– “Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues.” (Enbija, 39)

– “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e bashkëshortëve dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit”. (Furkan, 74)

Prej duave që ka bërë Pejgamberi ﷺ ishte edhe kjo: “O Allah, të lus Ty të më dhurosh udhëzim, devotshmëri, mbrojtje të nderit dhe pasuri.” [1]

Allahu ju ndihmoftë dhe ju bëftë të qëndrueshme në fenë e Tij!

Muhamed Dërmaku

———————————–

[1] Ahmedi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu