Pyetja:
Me çfarë argumenti marrin para disa hoxhallarë për larjen e xhenazes? A kanë të drejtë marrjen e këtyre parave?
***
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në lidhje me këtë temë nuk ka argument të qartë që ndalon, përveç një hadithi: ”Mos merr muezin që merr rrogë për ezanin” dhe përderisa ka argument që e ndalon ai që e lejon duhet të sjelle argument. Ndërsa si trajtesë fetare themi se origjina është që besimtari për adhurimet që bën të mos marrë shpërblim, sepse ai i bën për Allahun e Lartmadhëruar.
Lejohet që imami të marrë rrogë për punën e tij, nëse puna e pengon atë nga angazhimi në jetë me hallet dhe nevojat e tij dhe në këtë rast pagesa të bëhet nga Bashkësia Islame apo Meshihati, ose qendrat islame apo shoqatat etj., etj. Nëse nuk është kjo e mundur jemi përpara zgjidhjeve të mëposhtme:
1. Hoxha të punojë si të gjithë të tjerët e s’do i dalë kohë për të mësuar njerëzit ashtu siç duhet apo fëmijët, apo t’i japë hakun punës.
2. Ta paguajë dikush, qoftë individ apo grup.
Po që dhe të abuzojnë disa hoxhallarë në emër të kësaj e t’i vënë çmimet sipas qejfit apo të mos shkojë atje ku nuk ka mundësi për t’u paguar, ky është tmerr! Megjithatë, kështu e meritojmë sepse çdo gjë që e bën një hoxhë mund ta bëjë çdo besimtar i ditur. Ne të mundohemi që fenë ta mësojmë në mënyrë që të mos e lëmë monopol tek disa njerëz të cilët dhe mund të abuzojnë.
Imam dr. Ahmed Kalaja