Pyetja:

A duhet të agjëroj i sëmuri nga anemia (pagjakësia)?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Së pari: Agjërimi i të sëmurit nga anemia ose luhatja e tensionit

Edhe për sëmundjen e anemisë (pakësimit të rruazave të kuqe të gjakut) dhe luhatjes së tensionit (shtypjes) të gjakut, vlen rregulli juridik islam se ajo është liruese nga agjërimi nëse vërtetohet (bazuar në fjalën e mjekut specialist të besueshëm ose në eksperiencën e të sëmurit) se kjo sëmundje është në një nivel të tillë që mundet ta vendos personin agjërues në një vështirësi të zorshme (të rëndë) për t’u përballuar, ose nëse ushqehet frika e bazuar se agjërimi e acaron (shton) këtë sëmundje ose e vonon shërimin e saj.

Më konkretisht, shumica e juristëve muslimanë (përfshirë katër medh’hebet), në interpretim të sëmundjes për të cilën bëhet fjalë në thënien kuranore: “Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas”, kanë shprehur mendimin se prishja e Ramazanit lejohet vetëm në rastin e një sëmundje të rëndë. Po në këtë kontekst, shumica e juristëve muslimanë, janë të mendimit se kriteri (rregulli) i sëmundjes së rëndë, liruese apo lejuese për lënien e agjërimit të Ramazanit, është që të ushqehet frika e bazuar se nëse agjërohet: (së pari) kjo sëmundje shtohet ose shërimi i saj vonohet dhe (së dyti) bihet në një vështirësi që është e rëndë për t’u përballuar, (edhe nëse sëmundja nuk komplikohet dhe shërimi i saj nuk vonohet).

Ndërkaq, duhet pasur parasysh rregulli se nëse sëmundja liruese nga agjërimi është e pashërueshme (kronike), në këtë rast i sëmuri e shpagon atë duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë që s’e ka agjëruar.

Kurse nëse sëmundja liruese nga agjërimi është e shërueshme, i sëmuri i agjëron ditët e paagjëruara më vonë (para Ramazanit të ardhshëm).

Së dyti: Qëndrimi i ekspertit dietolog ndaj agjërimit të të sëmurit nga anemia

Kurse në aspektin shkencor mjekësor, Hinadi Felah Kufa (dietologe specialiste në Shoqatën Mjekësore Hamd të Katarit) ka theksuar se të sëmurët me anemi mund të agjërojnë në muajin e Ramazanit por me kusht që të tregohen shumë të kujdesshëm dhe ta kenë në mbikqyrje të lartë sistemin e tyre të të ushqyerit. Ajo bën vërejtjen se agjërimi mund të bëhet shkak për shtimin e acarimit të simptomave të anemisë dhe dehidratimit (tharjes së organizmit) dhe se ai (agjërimi) ndikon në uljen e sheqerit (glukozës) në gjak, duke shkaktuar dobësim të përgjithshëm dhe ndikuar në keqfunksionimin e trurit dhe mbarë shëndetit.

Prandaj (thekson ekspertja), është shumë e rëndësishme që nga agjëruesit e sëmurë me anemi, të pihet gjatë natës së Ramazanit sasi e mjaftueshme lëngjesh dhe sidomos uji, si dhe të pakësohen ose të mënjanohen stimulantët (nxitësit) që përmbajnë kafeinë, si kafeja dhe çaji, pasi ato stimulojnë urinimin, gjë që shton sasinë e lëngjeve që humb organizmi gjatë ditës së agjërimit.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi