Pyetja:

A është e lejueshme të ndërpritet namazi, nëse aktivizohet alarmi në ndonjë rast aksidenti?

***

Përgjigjja:

Nëse aksidenti është i madh dhe serioz, është në rregull të ndërpritet namazi; nëse është ndonjë aksident që mund të trajtohet mbas përfundimit të namazit, nuk është e lejueshme të
ndërpritet. Dijetarët kanë thënë se është obligim të ndalet namazi, me qëllim që të shpëtohet ndonjë person i shkujdesur nga një aksident fatal. Për shembull, nëse ti po falesh dhe sheh një gjarpër teksa i afrohet një njeriut i cili është ulur dhe nuk e vëren këtë. Nëse gjarpri shkon në drejtim të tij, ti duhet ta ndërpresësh namazin dhe t’ia bësh me dije këtë, që ai të mos kafshohet, ndoshta edhe për vdekje. Apo nëse e sheh një të verbër duke ecur para teje dhe ai shkon në drejtim të një pusi dhe ti ke frikë që ai mund të bjerë në të, atëherë ti duhet ta ndërpresësh namazin dhe ta shpëtosh atë nga kjo. E njëjta gjë vlen edhe në rastet e zjarrit, etj. Por, nëse alarmi aktivizohet për ndonjë gjë të vogël, e cila mund të trajtohet mbas përfundimit të namazit dhe s’do të bëhet vonë nëse së pari e kryen namazin, atëherë s’është e lejueshme të ndalet namazi para se ta kryesh atë. Sepse ky aksident mund të trajtohet
mbas kryerjes së namazit, pa pasur lëndime ndokush. Allahu e di më së miri.

Shejh Abdullah bin Humejd, “Fetaua semahat”, fq. 136