Pyetja: Kam një pyetje në lidhje me gjenerimin e figurave apo videove përmes inteligjencës artificiale, të cilat pastaj duken sikur të jenë reale. Një vëlla më tha: “Kjo është mëkat shumë i madh, madje sikur t’i bësh shirk Allahut.” Çfarë më këshillon?

Përgjigjja: Shumica e dijetarëve bashkëkohorë thonë se nuk është problem gjenerimi i fotove përmes inteligjencës artificiale, i videove, i filmave të animuar ose i videove me njerëz sikur të jenë realë. Kjo për faktin se këtu nuk hyjnë hadithet që flasin për skulpturat, ku Allahu i ka mallkuar ata që mundohen t’i përngjajnë krijimtarisë së Allahut domethënë të bëjnë figura ashtu siç i ka bërë Allahu krijesat. Sepse këtu ai nuk po tregon konkurrencë dhe as mençuri; ai po tregon punën e vet dhe aftësinë për të realizuar rrjedhën e filmit, të reklamës ose të figurës. Përndryshe, për ta bërë atë figurë, domethënë për ta vizatuar me dorë, ai është njeriu më amator që s’ka lidhje me vizatimin. Prandaj, këtu më nuk e kemi problemin te vizatimi.

Këtu mbetet një çështje tjetër. Domethënë, kjo lejohet për shumë arsye: njëra prej arsyeve është se nuk hyn te hadithet që flasin për atë i cili mundohet t’i përngjajë Allahut në krijimtarinë që Allahu e ka bërë në gjithësi. Pastaj, është një çështje që është përhapur aq shumë, saqë është e vështirë të paramendohet jeta pa të. Nuk ke zgjidhje tjetër veçse të sillesh rreth inteligjencës artificiale dhe të ndihmohesh me të.

Mirëpo, këtu mbetet një element tjetër që mund të jetë problematik, dhe ajo është se çfarë reklamojmë, çfarë gjenerojmë dhe çfarë prodhojmë:

  • Nëse janë figura të zhveshura, jo sipas Islamit, kjo nuk lejohet kjo e bën haram.
  • Nëse aty ka ndonjë produkt të ndaluar, për shembull derr apo alkool ose diçka tjetër, gjithashtu e bën haram.
  • Nëse ka fjalë të pahijshme, gjithashtu është haram.
  • Nëse ka skena të pahijshme, gjithashtu është haram.

Dhe kjo e bën haram. Përndryshe, gjenerimi si gjenerim nuk prish punë dhe nuk hyn te ndalesat e fotografive dhe skulpturave gjenerimi është fjala që përdoret për atë që bëhet përmes inteligjencës artificiale.

Hoxhë Dr. RASIM HAXHA