Pyetja:

A është sunet që, gjatë sexhdes, shputat të bashkohen?

***

Përgjigjja:

Transmetohet se Ebu Humejd (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kishte thënë, kur përshkroi namazin e Pejgamberit ﷺ: “Kur binte në sexhde, ai i ndante kofshët”. [1]
Esh-Sheukani tha: ”Shprehja ‘ai i ndante kofshët’ do të thotë se ai i mbante të ndara kofshët, gjunjët dhe shputat e këmbëve”.  Bashkëmendimtarët e Shafiut thanë: ”Largësia mes dy shputave duhet të jetë një pëllëmbë”. [2]
Neveviu tha: ”Shafiu dhe bashkëmendimtarët e tij thanë: është mustehab (rekomanduar) për atë që bën sexhde t’i bashkojë shputat”. [3]
Ndër dijetarët e vonshëm që e konsideruan këtë mustehab janë shejh Ibn Uthejmin dhe shejh Albani. Ata që e mbështesin këtë qëndrim, si dëshmi citojnë transmetimin nga nëna e besimtarëve, Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila tha: “Vërejta që i Dërguari i Allahut s’ishte pranë meje, mbasi më herët ishte me mua në shtratin tim. E gjeta atë teksa bënte sexhde, me thembrat e bëra bashkë dhe më gishtërinjtë e këmbës të kthyer nga kibla, dhe thoshte:’Kërkoj shpëtim në kënaqësinë Tënde nga hidhërimi Yt, dhe në faljen Tënde nga Dënimi yt, dhe në Ty nga Ti. Unë të lavdëroj, por jo siç duhet’”. [4]

Shejh Ibn Uthejmin tha: ”Ajo që duket të jetë Sunet është se shputat duhet të bëhen bashkë, dmth., të prekin njëra-tjetrën, siç thuhet se ajo vërejti se ai s’ishte aty dhe dora e saj preku shputat e këmbëve të tij, të cilat po mbaheshin drejt ndërsa ai ishte në sexhde. Një dorë nuk mund të prekë të dyja shputat po që se ato nuk janë të bashkuara.

Bazuar në këtë, sunet është që shputat të bëhen bashkë, ndryshe nga kofshët dhe duart (që duhet ndarë).”

Shejh Ibn Uthejmini, Sherh el-Mumti, 3/169

———————————–

[1] Ebu Davudi (735)

[2] Nejl el-Eutar, 2/297

[3] Mexhmu, 3/407

[4] Ibn el-Mundhir në el-Eusat (nr.1401); Ibn Khuzejme në Sahihun e tij (1/328); Ibn Hibban në Sahihun e tij (5/260); el- Hakim në el-Mustedrek (1/352), dhe prej tij nga el-Bejheki në es-Sunen el-Kubra (2/167).