Pyetja:

A i lejohet femrës muslimane të studiojë drejtimin e infermierisë?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, të Dërguarin e Tij ﷺ.

Studimi i fushave të shëndetësisë; në të gjitha profilet e saja, fetarisht konsiderohet ndër punët më fisnike, dhe për to do të ketë shpërblim të madh, nëse bëhet me përgjegjësi dhe nijet të mirë. Kjo e përfshinë edhe mashkullin edhe femrën, ngase nevoja e shoqërive për personel mjekësor femëror është po aq i rëndësishëm sa ai mashkullor, madje edhe më i rëndësishëm. Kjo, sepse në parim, sipas mësimeve të fesë Islame, meshkujt e sëmurë duhet t’i trajtojë personel mjekësor i përbërë nga meshkujt, sikurse femrat duhet t’i trajtojë personel mjekësor i përbërë nga femrat. Problemi këtu mund të na shfaqet në momentin kur kjo femër muslimane fillon të punojë, andaj duke u nisur nga parimi që e përmendëm më lartë, themi se femra muslimane, qoftë mjeke apo infermiere, kur fillon ta ushtrojë profesionin e vet, duhet t’i ketë parasysh një mori rregullash fetare, të cilat në situata normale nuk lejohet të shkelen:

1. Femra duhet ta mjekojë femrën, e mashkulli ta mjekojë mashkullin, pra, nuk lejohet që mashkulli ta mjekojë femrën e as femra ta mjekojë mashkullin; nëse të dy janë moshërritur, vetëm se në raste e situata të jashtëzakonshme.

2. Besimtari; si mashkulli, si femra, duhet t’i ik sa më tepër që është e mundur ambienteve të punës ku ka përzierje të të dy gjinive, me theks të veçantë përzierjeve të panevojshme dhe të pakontrolluara.

3. Besimtarja kur del nga shtëpia, duhet të jetë e veshur me veshje islame, të mos jetë e parfymosur, të mos jetë e shminkuar dhe të mos flas me meshkuj të huaj (që i lejohet me ta martesa), vetëm se aq sa është e nevojshme.

4. Femrës muslimane nuk i lejohet udhëtimi dhe qëndrimi në një vend të largët; aq sa është distanca kur personi që e kalon atë konsiderohet musafir sipas sheriatit, vetëm se me një shoqërues mashkull nga familja e saj. Allahu e di më së miri.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Comments are closed.