Pyetja:

Dihet se shejtanët janë ata që i informojnë magjistarët për gjëra që janë të ditura për njerëzit, por si shpjegohet rasti kur magjistarë të veçantë informojnë për gjëra që realisht nuk janë të ditura për njerëzit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Në rastin në fjalë janë shejtanët ata që e vjedhin lajmin e qiellit, duke e dëgjuar (përgjuar) nga engjëjt e pranishëm në qiellin më të afërt të dynjasë dhe më pas e marrin rrëmbimthi këtë lajm qiellor dhe ua përçojnë fallxhorëve e magjistarëve.

Në lidhje me këtë Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton, se “Një ditë, teksa sahabët (shokët e Profetit) ishin ulur me të Dërguarin e Allahut ﷺ, u hodh një meteor i cili ndriçoi. I Dërguari i Allahut ﷺ, u tha atyre: “Çfarë thonit në injorancë (para Islamit) kur hidhej një si kjo?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Thonim se këtë natë është lindur një burrë i madh ose ka vdekur një burrë i madh.” I Dërguari i Allahut ﷺ, tha: “Ato (meteorët) nuk hidhen për vdekjen e dikujt ose për jetën e tij, por kur Zoti ynë- i Bekuar dhe Lartmadhëruar është Emri i Tij!- vendos një çështje, engjëjt mbajtës të Arshit bëjnë tesbih (thonë SUBĤAAN ALL-LLAAH/i Lartmadhëruar dhe i Patëmetë është Allahu), pastaj bëjnë tesbih banorët (engjëjt) e qiellit pranë tyre, derisa të mbërrijë tesbihu tek banorët (engjëjt) e këtij qielli të dynjasë. Pastaj ata (engjëjt) pranë Mbajtësve të Arshit u thonë Mbajtësve të Arshit: “Çfarë tha Zoti juaj?” Ata i lajmërojnë se çfarë tha. Kështu vijojnë të gjithë banorët (engjëjt) e qiejve të kërkojnë lajmin nga njëri-tjetri (engjëjt e qiellit të mëposhtëm nga ata të qiellit të mësipërm), derisa lajmi arrin në këtë qiell të dynjasë (tek engjëjt që e banojnë atë) dhe xhindet (shejtanë) e marrin shpejtë këtë dëgjim (që kanë dëgjuar nga engjëjt) dhe ua hedhin evlijave (mbështetësve të tyre prej fallxhorëve apo magjistarëve), për t’u goditur paskëtaj me të (meteorin) [të shumtën e herëve shejtani goditet pa e përçuar lajmin qiellor që ka dëgjuar, por ndodh disa herë- me lejen e Allahut- që shejtani të goditet pasi e ka përçuar lajmin qiellor]. Ajo që ata (fallxhorët dhe magjistarët) sjellin prej tij (lajmit qiellor) të pandryshuar, është gjë e vërtetë (do të ndodhë), por ata pleksin në të dhe shtojnë (gënjeshtra).

Mënyra sesi ndodh marrja e këtij lajmi bazohet në faktin se këta xhind (shejtanë) janë të prirur të ngjiten njëri mbi tjetrin drejt qiellit që të vjedhin lajmin (fjalët) që u zbresin engjëjve. Kjo prirje e tyre e shpjegon këtë sakrificë të tyre vetëmohuese, pavarësisht djegies dhe flakjes që këta xhind pësojnë, e cila (siç thotë Et-Tahir Ibn Ashur) është e natyrës: “…së prirjeve (instikteve) ku janë prirur krijesat- si dyndja e fluturave në zjarr,- e cila mund të vijë për shkak të dobësisë së fuqisë arsyetuese tek xhindët, e cila dominohet nga epshi. Madje ne i shohim edhe njerëzit sesi ndërmarrin rreziqe dhe vetëmohime (si të ashtuquajturët sporte ekstreme) duke qenë se kanë rënë në varësinë e pasionit/epshit të tyre…” Me ta dëgjuar lajmin e qiellit ai që është më në krye, ia hedh (kalon) atë tjetrit pas tij dhe vijon kështu derisa ta kapë atë xhindi që ia hedh (përçon) në vesh fallxhorit.

Me ardhjen e Islamit dhe zbritjen e Kuranit, qielli ruhet prej shejtanëve dhe kundër tyre dërgohen trupa qiellor të ndritshëm (meteorë) që i djegin dhe flakin tutje xhindet përgjues të lajmit qiellor, por kur lejon Allahu ndodh që dikush prej këtyre shejtanëve ta marrë lajmin dhe t’ia përcjellë atë shejtanit që gjendet poshtë tij para se marrësi fillestar i lajmit qiellor të qëllohet prej trupit djegës qiellor; dhe kështu lajmi i fshehtë qiellor përfundon tek sharlatanët (fallxhorët, parashikuesit e fatit, kallëzuesit e sendeve të humbura apo të vjedhura dhe magjistarët), të cilët krahas kësaj të vërtete që do ngjajë medoemos, thonë edhe njëqind gënjeshtra dhe mashtrime. Prandaj në kohën para islame kanë qenë të shumta parashikimet e rralla mbi të fshehtat që bëheshin realitet, ndërsa pas ardhjes së Islamit ato thuajse janë zhdukur.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu