Pyetje: A janë sprovat pasojë e mëkateve?

Përgjigje:

Çdo sprovë që na godet është për shkak të asaj që e kemi vepruar prej mëkateve. Nuk është fjala vetëm për mëkatet e jashtme, si: shikimi, gjuha etj. Por shpesh herë njeriu ka edhe mëkate të brendshme, si: mendimi i keq ndaj Allahut, mos mbështetja siç duhet tek Ai, mos durimi me zemër (por veç me gjuhë) etj. Të gjitha kanë pasoja. Nëse Allahu na dënon me sprovime kjo është shumë mirë për ne ngase me këtë do të na pastrojë nga mëkatet. Kjo është mirësi prej Tij nëse ne tregohemi të durueshëm në ato sprova me të cilat jemi goditur. Kështu, Allahu po do që të dalim në Ditën e Gjykimit të pastër para Tij nga mëkatet.

Nuk duhet parë sprova si diçka e keqe. Është e vërtetë se është e vështirë përballimi i sprovës, por nëse tregohemi të durueshëm, kjo është mirësi e madhe. Kishte nga selefi që nëse nuk sprovoheshin një kohë, shikonin gjendjen e tyre se pse nuk janë sprovuar se ndoshta nuk është mirë diçka me ta. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur Allahu e do dikë, e sprovon.” Dhe ka thënë: “Kur Allahu dëshiron ta dëgjojë lutjen e dikujt të bërë me përgjërim, e sprovon.” Nëse sprova të kthen kah Allahu, me lutje, me pendim, duke e ditur se kjo është pasojë e mëkateve që ke bërë dhe kërkon falje, atëherë kjo është mirësi. E nëse ajo të largon nga Allahu, për shkak të mendimit të keq ndaj Allahut- ngase shumë njerëz kur sprovohen mendojnë se Allahu i ka poshtëruar e nënçmuar me këtë e ndërsa të tjerëve po u jep-, duke e parë sprovën me sy negativ, atëherë kjo vërtetë është sprovë për të dhe fenë e tij.

Sprovat gjithsesi janë pasojë e mëkateve, por dikë Allahu e sprovon jo për shkak të mëkateve porse për t’ia ngritur shkallët në xhenet, ashtu siç ka ndodhur me Pejgamberët të cilët i ka sprovuar më shumë sesa pjesën tjetër të njerëzve, edhe pse ata (Pejgamberët), nuk kanë pasur mëkate, kjo që ata të tregojnë durim dhe të tjerët t’i marrin për shembull se si duhet bërë durim në sprova, por edhe që t’i ngritë në xhenet ngase për durimtarët ka shpërblim të madh, thotë Allahu: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” Zumer 10. Askush nuk mund ta llogarisë dhe masë këtë shpërblim.

Hoxhë Lulzim Perçuku.