Pyetja:

A ka lidhje vizita e xhamisë së Profetit ﷺ, me haxhin apo umren?

***

Përgjigjja:

Të vizituarit e xhamisë së Profetit ﷺ është sunet, duke u bazuar në fjalën Profetit ﷺ: “Nuk lejohet udhëtimi me qëllim ibadeti vetëm se në tre xhami: Në mesxhidul haram (në Meke), në xhaminë time (në Medine) si dhe në xhaminë el‐Aksa.” [1]
Pra, njeriu udhëton që të vizitojë xhaminë e Profetit ﷺ, për shkak se namazi në të është më i mirë se 1000 namaze pos saj, përveç mesxhidul haramit (në Meke). Porse kur ai (personi) të udhëtojë për në Medine, kërkohet prej tij që qëllimi i tij, pikë së pari, të jetë namazi në xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ. E kur të mbërrijë atje, atëherë viziton edhe varrin e të Dërguarit ﷺ si dhe varret e dy shokëve të tij, Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata). Kjo, në mënyrën e ligjëruar, pa bidate dhe pa e tepruar. Ndërsa për sa i përket fjalës së pyetësit: ”A ka kjo lidhje me haxhin?”, përgjigja ndaj tij është: Kjo nuk ka aspak lidhje me haxhin dhe se vizita e xhamisë profetike është e ndarë. Dhe haxhi dhe umra janë të ndara prej saj (vizitës). Porse dijetarët i kanë përmendur ato në temën e “Haxhit” ose në fund të “Kapitullit të Haxhit”, për shkak se njerëzit në kohën e shkuar e kishin shumë të vështirë që ta veçonin haxhin dhe umrën në një udhëtim (të posaçëm vetëm për këto të dyja) dhe vizitën e xhamisë profetike në një udhëtim tjetër. Ata, kur e kryenin haxhin dhe umran, kalonin dhe në Medine për të vizituar xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Pra, nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet kësaj dhe asaj.

Shejh Ibn Uthejmin, “Mexhmu’ fetava ve rasail” vëll. 23

Përktheu: Xhabir Sheme

———————————–

[1] Buhariu 1190 dhe Muslimi 1394