Pyetja:

A ka (nuk) të drejtë femra që të ngas veturën?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Kjo është një çështje e përfolur dhe e shumë diskutuar që dikujt mund t’i duket edhe bajate, sa që mund të thuhet: hajde-hajde për çfarë diskutojnë akoma këta! Mirëpo kjo tregon se sa thellë trajton feja islame temat adekuate të jetës, duke e bërë atë fe të të gjitha kohërave. Pra, që trajton edhe tema të tilla apo ka në vetvete edhe trajtesa të tilla dhe sido dhe sado që të avancojnë situatat në Islam ka trajtim, gjë që tregon jetë dhe jo një fe të vdekur.

Kjo është një çështje që siç është parashtruar pak a shumë në pyetje që nuk ka argument në sheriat e si pasojë ka shumë hapësira për të pasur mendime të ndryshme dhe ixhtihade e gjykime te dijetareve islamë.

Argument që e ndalon s’ka, madje origjina në të tilla veprime që nuk janë adhurime është lejimi. Ai që ndalon duhet të sjellë argument që  e ndalon dhe s’ka për të gjetur tekst në lidhje me këtë punë, përkundrazi tekstet tregojnë të kundërtën në pamje të jashtme.

Ata dijetarë që e kanë ndaluar, kanë parë më larg në këtë çështje, ata kanë vërejtur dëmin dhe dobinë, shkaqet dhe pasojat, dy dëmet dhe dy dobitë, koha, vendi, tradita, pasojat në raste konflikti, aksidenti, shoqërimi në polici të femrës së vetmuar apo ndonjë rast kontrolli nga polici i femrës etj., etj. Duke parë në këtë prizëm ata kanë gjykuar për të si e ndaluar. Pra, kanë shikuar më me largpamësi se ç’mund të shihet në trajtesën e parë ose me sy të parë dhe se s’ka lidhje kjo mesele me hadithin e përmendur në trajtesën e postuar.

Dhe së fundi themi se Allahu e di më së miri.

Imam dr. Ahmed Kalaja