Pyetja:
Kanë thënë se ekziston një lloj loje që bëhet pas orës 12 të natës duke e thirrur shpirtin e dikujt që ka vdekur dhe ai të tregon se kënd e ke fat të jetës. Më thanë se e kanë provuar shumë edhe ju ka dal e vërtetë, e unë desha të dijë a është mëkat nëse e thërrasim dikënd të vdekur dhe e lusim që të na tregoj fatin e jetës pa marrë parasysh a është e vërtetë apo jo? Më kanë pyetur disa shoqe të mijat dhe unë nuk kam ditur si të përgjigjem njëkohësisht edhe jam habitur.
***
Përgjigjja:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar, Allahu më bëftë mua, ty dhe të gjithë muslimanët që të kuptojnë fenë e Allahut në atë mënyrë që këmbët tona të jenë të palëkundura në adhurimin dhe njësimin e Tij të vetëm e pa shok.
Duhet të dimë se çdo besimtar i vërtetë dhe i vendosur beson fuqishëm se Allahu është i vetmi që posedon dijen e të fshehtës dhe se cilido tjetër që e pretendon këtë nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtar i dështuar dhe një thirrës i njerëzve për në dyert e Xhehenemit. Allahu shpesh herë e ka sqaruar hollësisht këtë fakt në librin e tij madhështor:
“Thuaj: ‘Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat dhe as nuk do ta dijë se kur do të ringjallet‘”. (Nemël: 65)
“Ai i ka çelësat e së padukshmes (së fshehtës) dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det. Asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (En’am: 59)
Shiko se si i drejtohet Allahu Profetit të Tij Muhamedit ﷺ: “Thuaj: ‘Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen (të fshehtën), do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë‘”. (Araf: 188)
Motër e nderuar, të ardhmen nuk mund ta përcaktoj askush, as shpirtrat e të vdekurve, as melaiket as falltarët, askush tjetër veç Allahut i Cili të ka shkruar detajet e jetës tënde në librin e ruajtur (Leuhi mahfudh), përpara se të krijonte qiejt dhe tokën dhe kur të krijon në barkun e nënës Ai dërgon melekun me këto katër gjëra: djalë apo vajzë, sa do të jetojë, i pasur do të jetë apo i varfër dhe do të jetë fatlum apo i mjerë.
Kështu që këto që pretendojnë se shpirtrat e të vdekurve u tregojnë fatin me anë të lojërave të cilat bëhen pas orës 12 të natës, nuk janë veçse trillime e hile të shejtanit. Sepse shejtanët përpiqen gjithmonë që t’i çojnë punët e njerëzve dëm dhe t’i humbin nga e vërteta, kështu që nëse është e vërtetë një gjë e tillë (se gjoja shpirtrat u kthejnë përgjigje) atëherë dije se ata nuk janë veçse thjeshtë xhind që lozin me njerëzit dhe i humbin ata. Ndaj muslimani i cili e njeh mirë fenë e tij nuk bie në grackat e mashtruesve të cilët i përdorin këto shpeshherë dhe për të ngrënë pasurinë e të paditurve.
Ndaj unë të bëj thirrje ty dhe të gjithë muslimanëve që ta ruajnë njësimin e Allahut të pacenuar dhe të mos e pluhurosin me besime të kota dhe të jeni të bindur se dijen e të fshehtës Allahu e ka rezervuar për vete, ndaj mos i shoqëroni Allahut askënd në këtë cilësi. Pra një gjë e tillë nuk lejohet, sepse kjo është njësoj si të shkosh tek magjistari apo falltari.
E lusim Allahun të na bëjë të kuptojmë fenë e Tij dhe ta adhurojmë Atë të vetëm e pa shok! Amin!
Allahu e di më së miri.
Bledar Haxhiu