Pyetja:

A mund të na tregoni nëse lejohet apo jo urimi i Vitit të Ri Hixhri dhe të na shpjegoni mendimet kryesore të juristëve muslimanë lidhur me këtë?

***

Përgjigja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Vitit i Ri Hixhri përbën pikërisht vitin kalendarik islam, viti i parë i të cilit daton (fillon) me emigrimin profetik nga Meka për në Medine.

Thënë në mënyrë të përgjithshme, lidhur me urimin e Vitit të Ri Hixhri, juristët muslimanë ndajnë një sërë qëndrimesh: disa prej tyre e kanë lejuar atë duke e konsideruar mubah (të lejuar / të lirë) dhe disa duke e konsideruar mendub (të pëlqyeshëm / të preferuar); disa nuk kanë lejuar që ta fillojmë të parët këtë urim, por e kanë lejuar kthimin e tij (duke bërë lutje për uruesin që të ketë një vit të begatë) dhe disa të tjerë e kanë ndaluar kategorikisht këtë urim; kurse në mënyrë më të detajuar thuhet sa vijon:

Mendimi i parë: Urimi i Vitit të Ri Hixhri është i lejuar / mendub

a. Urimi i Vitit të ri Hixhri është mubah (i lejuar / i lirë)

Mendimi i El-Makdesiut (që përbën mendimin bazë në medh’hebin shafi’i) është se kjo (urimi i hyrjes së festave, muajve dhe viteve) është një çështje e lejuar / e lirë (mubah), e cila nuk i përket as sunetit (veprimit të ligjëruar në fenë islame) dhe as bidatit (risisë të pabazuar në fenë islame).

b. Urimi i Vitit të ri Hixhri është mendub (i preferuar / i pëlqyeshëm)

Mendimi që Ibn Haxher El-Askalani (i medh’hebit shafi’i) e ka vlerësuar në këtë kontekst si më të fuqishmin, është se urimi që bëhet me rastin e festave, muajve dhe viteve, është vepër e preferuar (e pëlqyeshme) dhe në favor të kësaj janë: (argumenti i parë) kërkimi i bërjes së sexhdes në rast të përjetimit të një mirësie, (argumenti i dytë) historia e tre të penduarve prej sahabëve (shokëve të Profetit ﷺ), ku vjen sesi Keab Ibn Maliku u urua nga Talha Ibn UbjediLah në pranit të Profetit ﷺ, pasi pendimi i Keabit u pranua dhe Profeti ﷺ  nuk e ndaloi një gjë të tillë etj.

Mendimi i dytë: Nuk lejohet që ta fillojmë të parët urimin për Vitin e Ri Hixhri, por lejohet që ta kthejmë urimin që na bëhet për këtë rast

Ky mendim (që është më parësori) bazohet në transmetimin e imam Ahmedit, ku vjen se ai ka thënë: “Unë vetë nuk e fillojë i pari urimin, por nëse dikush më uron unë i përgjigjem, sepse është obligim që t’i kthehet përgjigjja përshëndetjes së tjetrit, teksa nisja e urimit nuk është veprim i pëlqyeshëm që jemi të urdhëruar ta kryejmë dhe as veprim i ndaluar që jemi të ndaluar ta kryejmë.”

Mendimi i tretë: Urimi i Vitit të ri Hixhri është i ndaluar

Urimi që bëhet lidhur me raste të caktuara (shënuara) në kohë, si: hyrja e viteve (Vitit të Ri Hixhri), muajve (Ramazanit) dhe ditëve (Ditëlindja e Profetit ﷺ etj.), nuk është i bazuar në veprën profetike dhe as atë të dijetarëve të tre gjeneratave të para muslimane (përfshirë shokët e Profetit); ashtu që edhe pse në këto gjenerata të para muslimane u përjetua Viti i Ri Hixhri, dukuria e urimit të tij nuk gjeti prani tek ata. Së këtejmi urimi i Vitit të Ri Hixhri është një vepër e ndaluar që përbën një bidat (risi) që nuk ka bazë në fenë islame.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi