Pyetësi:
A mund të godasë njeriu me sy të keq familjen (mësysh), fëmijët dhe pasurinë e vet?
Përgjigja:
Syri i keq është i vërtetë dhe kjo është dëshmuar nga hadithe të shumta autentike të Pejgamberi ﷺ. Ai mund të ndikojë te të tjerët duke shkaktuar sëmundje, dëmtime apo edhe vdekje. Prandaj besimtari duhet të jetë i kujdesshëm dhe të marrë masat mbrojtëse të ligjshme kundër këtij rreziku.
- Mbrojtja nga syri i keq
Islami na mëson që të mbrohemi nga syri i keq përmes:
• Dhikreve dhe lutjeve të mëngjesit e mbrëmjes
• Lutjes për bereqet (bekim) kur të mahnitemi nga diçka që shohim, qoftë edhe nga të dashurit tanë.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Çfarë e pengon ndonjë prej jush, kur sheh tek vëllai i tij diçka që e mahnit në veten apo pasurinë e tij, të lutet për të me bekim, sepse syri i keq është i vërtetë.”1
Dhe në një hadith tjetër ka thënë:
“Kur ndonjëri prej jush sheh në veten, pasurinë apo vëllain e tij diçka që e mahnit, le të lutet për të me bekim, sepse syri i keq është i vërtetë.”2
Kur thuhet “le të lutet për bekim” është kuptimi të thotë “Allahumme barik” - Rreziku ndaj më të dashurve tanë
Njeriu, pa e kuptuar, mund të godasë me sy të keq edhe më të dashurit e tij: familjen, fëmijët, shtëpinë, makinën, kopshtin, apo pasurinë. Prandaj është shumë e rëndësishme që kur shohim diçka që na pëlqen, të mos e mbajmë për vete këtë ndjesi, por ta përcjellim me lutje për bereqet.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Përse ndonjëri prej jush vret vëllain e vet? A nuk do të ishte më mirë të kishe bërë lutje për të (me bekim)?”3 - Çfarë të themi kur shohim diçka që na mahnit
Nëse njeriu sheh diçka të bukur në veten, fëmijët apo pasurinë e tij, atëherë le të thotë:
“Ma shaa Allah, la kuvvete il-la bil-lah”
(Që do të thotë: “Çfarë ka dashur Allahu [kështu ka ndodhur], nuk ka fuqi veçse me Allahun”)
Allahu thotë në Kuran:
“E përse, kur hyre në kopshtin tënd, nuk the: ‘Ma shaa Allah, la kuvvete il-la bil-lah’?”(Sure El-Kehf, 39)
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë:
“Disa prej të parëve të mirë kanë thënë: Kush mahnitet nga diçka prej pasurisë apo fëmijëve të vet,
le të thotë: ‘Ma shaa Allah, la kuvvete il-la bil-lah’.”
Gjithashtu Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Kujtdo që Allahu i dhuron një mirësi prej familjes, pasurisë apo fëmijëve dhe ai thotë: ‘Ma shaa Allah, la kuvvete il-la bil-lah’, nuk do ta godasë ndonjë fatkeqësi përveç vdekjes.”4 - Shembulli i të parëve tanë të mirë
Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Prandaj është e rekomanduar që kur njeriu hyn në kopshtin, shtëpinë apo sheh diçka që e mahnit prej pasurisë apo familjes së vet, të nxitojë të thotë këtë fjalë, sepse nuk do të shohë ndonjë të keqe në të.”5
Lexues i ndershëm “Syri i keq” është realitet dhe mund të godasë edhe më të dashurit tanë, nëse nuk jemi të kujdesshëm. Islami na mëson të jemi të vetëdijshëm, të përmendim Allahun dhe të lutemi për bereqet kur të na mahnit diçka. Kjo është mburoja më e mirë që na mbron neve dhe të dashurit tanë nga e keqja e syrit.
Përgatiti: Sejfullah Sejfuli
- Transmeton Imam Ahmedi ↩︎
- Transmetojnë nga Nesaiu dhe Hakimi; e saktësoi Albani ↩︎
- Transmeton Imam Ahmedi ↩︎
- Transmetuar nga Ebu Ja’la dhe Bejhekiu; e saktësoi Albani ↩︎
- El-Vabilus-Sajjib, fq. 305 ↩︎
https://www.rizgjimi.com/




