Kuptimi i nocionit gajb (bota e fshehtë)

Me fjalën gajb nënkuptohet gjithçka që nuk mund të kapet me shqisat e njeriut, qoftë ajo një gjë që s’mund ta dijë askush pos Allahut, apo një gjë e cila mund të mësohet nga shpallja hyjnore.

Diçka prej gajbit njeriu mund ta perceptojë me analizat e tij mendore apo me mjete të ndryshme moderne, si për shembull zgjerimi i perceptimit të gjërave të imta me mikroskop dhe mjete të tjera. Kjo ka të bëjë me gajbin relativ, siç do ta përmendim më poshtë në llojet e gajbit.


Rëndësia e gajbit

Besimi në gajb është prej veçorive dalluese të njeriut. Në perceptimin e gjërave të dukshme merr pjesë edhe kafsha, andaj besimi në të padukshmen është veçori e njeriut. Për këtë arsye, prej gjërave kryesore të rëndësishme në fetë me prejardhje qiellore ishte besimi në gajb.

Në ligjin e shpallur nga Allahu ka shumë gjëra të fshehta, të cilat nuk mund të kuptohen vetëm nëpërmjet shpalljes hyjnore, siç janë fjalët që tregojnë për Allahun, cilësitë e Tij, veprat e Tij, për shtatë qiejt dhe çka ka në to, për melekët, për pejgamberët, për Xhennetin dhe Xhehennemin, për djajtë e për xhinnët dhe gjëra të tjera për të cilat na tregoi Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem.


Llojet e gajbit

1. Gajbi i përgjithshëm

Këtu përfshihen gjërat që nuk mund t’i perceptojë njeriu me shqisat dhe mjetet e tij. Ky lloj ndahet në dy nënlloje:

a) Gjerat për të cilat Allahu na tregoi nëpërmjet shpalljes, siç janë djajtë dhe xhinnët dhe gjërat tjera që lidhen me to.

Allahu, Subhanehu ve Teala, thotë:

“Thuaj: ‘Mua më është shpallur se një grup i vogël nga xhinnët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: ‘Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit, që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë me askënd’.”
(Xhin, 1–2)

b) Gjërat që Allahu nuk ia tregoi askujt prej krijesave të Tij, as ndonjë pejgamberi e as ndonjë meleku.

Për këtë bëhet fjalë në ajetin kur’anor:

“(Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij.”
(En’am, 59)

Shembull për këtë lloj: momenti i ndodhjes së Kijametit, vdekja – koha, vendi dhe shkaku i saj, disa emra të Allahut, etj.

Allahu, Subhanehu ve Teala, thotë:

“S’ka dyshim se vetëm All-llahu e di kur do të ndodhë Kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se çka ka në mitra (të nënave), nuk e di kush pos Tij se çka do të ndodhë (çka do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. All-llahu është më i Dijshmi, më i Njohuri.”
(Llukman, 34)


2. Gajbi i përkufizuar relativ

Këtu përfshihen gjërat që vetëm për disa njerëz janë të fshehta, si për shembull ndodhitë e ndryshme historike – ato janë gajb për ata që nuk i dinë.

Për këtë arsye, Allahu, Subhanehu ve Teala, i tha Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, pasi që i tregoi për familjen e Imranit:

“Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete.”
(Ali Imran, 44)


3. Gajbi i përkufizuar jorelativ

Këtu përfshihen gjërat që fshihen prej nesh për shkak të largësisë në kohë ose hapësirë dhe mbeten të tilla derisa të largohet kjo pengesë.

Siç thuhet në ajetin kur’anor:

“E kur ia caktuam atij vdekjen, askush tjetër nuk i njoftoi ata (xhinnët) për vdekjen e tij, përveç krimbit që e brejti shkopin e tij. E kur u rrëzua ai, për xhinnët u bë e qartë se sikur të ishin ata që e dinin të fshehtën, nuk do të vazhdonin të qëndronin në mundimin e rëndë.”
(Sebe, 14)

Ky është tregimi i vdekjes së Sulejmanit, alejhi selam.


Shembuj të tjerë për gjëra që janë gajb

  • Shpirti – Allahu, Subhanehu ve Teala, thotë:

“Të pyesin ty për shpirtin; thuaj: ‘Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije’.”
(Isra, 85)

  • Shenjat e Kijametit që nuk kanë ndodhur, si: dalja e Dexhalit, kafsha e tokës, e të tjera.


✍️ Përgatiti: Agim Bekiri