Pyetja:
A lejohet të shes duhan?

Përgjigja:
Së pari:
Pirja e duhanit nuk lejohet, as shitja e tij, as blerja, dhe as ndihma në çfarëdo mënyre që çon në këtë.
Për ndalimin e pirjes së tij, arsyeja qëndron në dëmet e shumta dhe të vërtetuara që shkakton, si dhe për arsye të tjera si shpërdorimi dhe humbja e pasurisë
Ndalohet edhe shitja e tij, sepse Allahu, një mënyrë që çon në atë ndalesë. Ooo
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
Mallkoi Allahu hebrenjtë, atyre u ndaluan dhjamërat (yndyrnat), e ata i shitën dhe i hëngrën fitimet nga to. Vërtet Allahu, kur ndalon diçka, ndalon edhe fitimin prej saj.1

Ndalohet edhe ndihma në këtë çështje, duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar:
“Ndihmojuni njëri-tjetrit në të mira dhe devotshmëri, e mos ndihmojuni në mëkat dhe armiqësi. Kini frikë Allahun, se vërtet Allahu është ndëshkues i ashpër.”(el-Maide, 2)
Gjithashtu ka shumë dëshmi që obligojnë urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, dhe e qortojnë rëndë atë që hesht për të keqen apo e pranon atë. E çfarë të thuash pastaj për atë që e ndihmon?
Në fetvatë e Komisionit të Përhershëm për fetva (13/57) thuhet:
“Ndalohet shitja e duhanit për shkak të ndyrësisë dhe dëmeve të tij të shumta; kush e bën këtë llogaritet mëkatar.”
Po ashtu në të njëjtin vëllim (13/63): “Duhani është substancë e ndyrë dhe e dëmshme, nuk lejohet pirja e tij dhe as shitja, sepse kur Allahu ndalon diçka, ndalon edhe përfitimin nga ajo. Detyrohesh të pendohesh nga shitja e tij dhe të mjaftohesh me tregti të gjërave të lejuara, në to ka mirësi dhe bereqet. Kush lë diçka për hir të Allahut, Allahu ia zëvendëson me diçka më të mirë.”
Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk i lejohet një personi të shesë duhan, sepse ai është i ndaluar, dhe kur Allahu ndalon diçka, ndalon edhe përfitimin nga ajo. Për më tepër, shitja e tij është një lloj bashkëpunimi në mëkat dhe armiqësi.”

Së dyti:
Nëse mund të punosh në një lokal pa u marrë me shitjen e duhanit, nuk ka problem. Por, nëse përfshihesh në shitjen e tij, atëherë merr mëkat për këtë veprim, edhe nëse i thuash klientit “hyr dhe merre vetë”, pasi ti je duke ia shitur, dhe më herët ke bërë blerjen për ta rishitur.
Këshilla për ty është të lësh punën në këtë lokal dhe të durosh për pak ditë pushimi apo vështirësi, sepse kjo është më e mirë për ty sesa të veprosh mëkatin ndaj Allahut të Lartësuar. Allahu do të të jep diçka më të mirë në vend të asaj që le për Të, sepse kush lë diçka për Allahun, Ai e shpërblen me më të mirën.

Përktheu: Sejfullah Sejfuli / https://www.rizgjimi.com/

  1. E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi, hadithi është i saktësuar nga Albani në “Sahih el-Xhami’”, nr. 5107