Pyetja:

A lejohet të martohem me një femër të zhvirgjër?

***

Përgjigjja:

Çdo njeri duhet të jetë i vetëdijshëm dhe ta kuptojë seriozitetin e martesës. Njeriu kur martohet, hyn në një periudhë të re të jetës së vet, ku tash më nuk është individ i cili e ka preokupim vetëm vetveten, por ka rolin e të parit të familjes e cila mvaret nga ai. Me martesë, ngritet qeliza bazë e shoqërisë-familja. Nga ajo se si do të edukohet familja, mvaret edhe mirëqenia në shoqëri, e për të patur një familje të edukuar dhe të ndërtuar në baza të shëndosha, duhet patur kujdes që të zgjedhim femër dinjitoze dhe të ndershme, për t’u bërë zojë e shtëpisë dhe nënë e fëmijëve, në veçanti edukatore e sukseshme e fëmijëve. Nisur nga kjo, i Dërguari i Allahut ﷺ në një hadith të tij ka treguar se gruaja martohet për katër gjëra: pasurinë, bukurinë, autoritetin familjar dhe fenë. Por, na ka mësuar që ta zgjedhim atë femër e cila është e moralshme dhe fetare, apo na ka porositur që ta zgjedhim femrën për shkak të fesë, ngase në këtë mënyrë do të formohet bazë e shëndoshë për edukimin e fëmijëve dhe ngritjen e një familje shembull.

Kjo hyrje e shkurtër ishte e nevojshme, dhe është e lidhur në një mënyrë me pyetjen tuaj. Kjo, ngase përgjigja e pyetjes suaj, nga aspekti i të drejtës islame është se: Po, lejohet që një musliman të martohet me një femër të zhvirgjër. Niqahi ndërmjet një beqari dhe një femre të zhvirgjër, është valid nga aspekti i sheriatit. Më konkret, argument për këtë konstatim e marim vetë të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili martesën e parë të vet e bëri me një grua të vejë, Hadixhen r.a. Poashtu, edhe gratë tjera, me përjashtim të Aishes r.a. kanë qenë të veja, pra të zhvirgjëra.

Mirëpo, edhe pse femra e zhvirgjër, si e tillë nuk është problem për t’u martuar, duhet të shihet se ajo femër a meriton të jetë bashkëshorte konform porosisë së mëparshme të të Dërguarit të Allahut ﷺ. Kjo, ngase virgjiniteti mund të humbet në mënyrë të lejuar dhe në mënyrë të ndaluar.

Femra e cila e ka humbur virgjinitetin në mënyrë të lejuar, dhe është e ndershme dhe fetare, nuk është objekt debati. Poashtu, edhe femra e cila e ka humbur virgjinitetin në mënyrë të ndaluar, por pastaj është penduar sinqerisht dhe është përmirësuar, pra është kthyer në rrugën e drejtë, mund të martohet dhe nuk paraqet problem.

Problem paraqet femra e cila e ka humbur virgjinitetin në mënyrë të ndaluar dhe nuk ka simptome se është penduar dhe se është përmirësuar. Kësaj femre besimtari duhet t’i largohet, jo pse nuk është e virgjër, por pse ka bërë amoralitet dhe nuk është penduar. Ajo nuk është e denjë të jetë bashkëshorte e besimtarit dhe as nënë e fëmijëve të tij. Për atë, besimtari duhet t’i analizojë mirë rrethanat e humbjes së virgjinitetit të një femre të caktuar me të cilën mendon të martohet, si dhe karakterin dhe sjelljen e saj, a reflekton pozitivisht apo jo.

Nëse një musliman marton një femër të këtillë, ka vepruar në kundërshtim me porositë e hadithit të të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe e ka vënë në rrezik të ardhmen, gjenezën, harmoninë familjare, qetësinë shpirtërore dhe nderin e vet. Kjo, ngase femra e tillë që nuk është penduar, është e shthurur moralisht, e besimtarit nuk i takon të merr një femër të tillë, apo thënë ndryshe, i miri nuk mund të bën me të keqen dhe anasjelltas. E keqja është për të këqinjtë, dhe i keqi është për të këqijat, ndërkaq e mira është për të mirët, dhe i miri është për të mirat. Në këtë drejtim, flet edhe ajeti vijues: “Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e lavirja me të nuk do të duhej të martohej kush pos ndonjë lavir o idhujtarë. Ajo (kurvëria ose martesa më të) është e ndaluar për besimtarët.” (Nur: 3)
Në një ajet tjetër, qëndron: “Të këqiat (gra ose fjalë) janë për të këqinjtë edhe të këqinjtë janë për të këqijat, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit edhe të ndershmit janë për të ndershmet. Ata janë të pafajshëm nga ajo që u thonë atyre. Ata kanë falje të madhe dhe furnizim të begatshëm.” (Nur: 26)

Pra, kujdes, mos të të mashtrojë bukuria apo diçka tjetër pa vlerë reale, që të martohesh me një femër e cila e ka humbur virgjinitetin me amoralitet dhe nuk është penduar e as që është përmirësuar. Nga aspekti juridik islam, nëse bën kurorë me një femër të tillë, martesa është valide, por besimtari i vërtetë nuk guxon ta bëje një gjë të tillë, ngase fut në familje dhe në jetën tënde femër amorale.

Me këtë rast, duhet të theksoj edhe një çështje që mund ta ngrenë disa, gjegjësisht martesa me femra të këtilla për shkak da’vetit. Kjo është e mundshme të jetë qëllim i dikuj, por mendoj se daveti i femrave të këtilla duhet të bëhet në mënyra tjera. Kjo mënyrë është e rrezikshme ngase ka të bëjë me familje dhe edukim brezash.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu