Nëse bëhet fjalë për blerjen e një prone të lënë hipotekë në treg, e cila në këtë rast shitet nga banka, ajo duhet të shitet me çmimin real të tregut. Përndryshe, nëse nuk shitet me çmimin real të tregut, kjo konsiderohet padrejtësi, pra zullum.
A lejohet të blihet kjo pronë apo jo? Thjesht, nëse nuk e blejmë ne, do ta blejë dikush tjetër.
Dikush mund të thotë: “Nëse nuk e blej unë, do ta blejë dikush tjetër. A duhet banka të mos ia kthejë klientit pasurinë? Banka thjesht e ka nxjerrë pronën në shitje, ka zhvilluar procedurat për ta shitur dhe po e shet atë.”
Mirëpo, unë si besimtar, kur përballem me një pasuri të paluajtshme që banka e ka marrë në hipotekë dhe po e shet me një çmim shumë të ulët, për shembull, sa gjysma e vlerës së saj reale apo edhe më pak, çfarë duhet të bëj në këtë rast?
Dijetarët përmendin disa rregulla lidhur me këtë çështje.
Më e mira është që, nëse kemi mundësi, ta blejmë pronën me çmimin e kërkuar nga banka dhe t’ia kthejmë pronarit të mëparshëm, i cili e kishte lënë atë hipotekë. Gjithashtu, mund ta këshillojmë që të mos e lërë më pasurinë e tij hipotekë dhe të mos marrë kredi.
Për shembull, nëse një shtëpi me vlerë reale prej 100 mijë eurosh shitet për 30 mijë euro, ne mund ta blejmë atë dhe t’ia kthejmë pronarit të mëparshëm, veçanërisht nëse e dimë se ai e ka pasur këtë pronë hipotekë dhe se ka pësuar shumë dëme e vështirësi për shkak të kësaj situate.
Nëse veprojmë kështu, me lejen e Allahut të Lartësuar, do të fitojmë shpërblim dhe do t’i forcojmë lidhjet me këtë person.
Mirëpo, nëse nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë, atëherë duhet ta blejmë pronën duke marrë parasysh vlerën e saj reale. Pra, nëse çmimi real i shtëpisë është 100 miijë euro, kjo duhet të jetë vlera që merret për bazë.
Bankës i paguajmë shumën për të cilën është bërë marrëveshja e shitjes, pra çmimin që ajo e ka caktuar, ndërsa pjesën e mbetur të vlerës reale ia kthejmë personit që e kishte lënë pronën hipotekë.
Kështu veprojmë për të qenë korrektë dhe të drejtë, si dhe për të mos i bërë padrejtësi askujt. Nëse dikush e ka pasur një shtëpi me vlerë 100 mijë euro dhe ajo blihet për 30 apo 50 mijë euro, atëherë kjo mund të përbëjë një padrejtësi të madhe ndaj pronarit të mëparshëm.
Megjithatë, bankat mund ta bëjnë këtë, sepse kanë mundësinë ta shesin pronën në këtë mënyrë. Prandaj, një pjesë e madhe e veprimeve të tilla të bankave mund të përmbajnë padrejtësi.
Kjo është forma në të cilën lejohet blerja e pronës, duke u përpjekur të shmanget padrejtësia ndaj pronarit të mëparshëm.
Po nëse nuk e njohim personin që e kishte lënë pronën hipotekë? Në këtë rast, duhet të përpiqemi që pjesën e mbetur, pra diferencën ndërmjet çmimit të paguar dhe vlerës reale të pronës, ta japim për ta ndihmuar atë person ose në emër të tij, pasi prona i është marrë nga banka dhe është shitur me një çmim më të ulët.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha



