Pyetje:
A ngrihen duart kur bëjmë duà para iftarit?
Po gjatë pauzës midis dy hutbeve në ditën e xhuma?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Ngritja e duarve në duà
Ngritja e duarve gjatë duasë është e lejuar dhe e pëlqyeshme, pasi Profeti ﷺ ka treguar se është një prej shkaqeve të pranimit të duasë. Ai ka thënë:
“Vërtet, Allahu është i turpshëm dhe Bujar; Ai turpërohet kur njeriu i ngre duart drejt Tij, t’i kthejë ato të zbrazëta dhe të refuzuara.”
(E transmeton Tirmidhiu, nr. 3556, dhe është saktësuar nga Albani në “Sahihut Tirmidhi”.)
Ky hadith tregon pëlqyeshmërinë e ngritjes së duarve gjatë duasë. Megjithatë, në situata dhe vende ku dihet se Profeti ﷺ nuk i ka ngritur duart, atëherë nuk duhet të ngrihen.
Pyetja e parë: A ngrihen duart kur bëjmë duà para iftarit?
Më e mira është që të mos ngrihen, sepse nuk ka ndonjë argument specifik që përcakton ngritjen e duarve kur bëhet duà para iftarit.
Nëse dikush e bën këtë rastësisht, nuk ka ndonjë problem.
Por ta bësh këtë zakonisht para iftarit nuk lejohet.
Dobi:
Koha më e mirë për të bërë duà gjatë iftarit është:
-
Pak para iftarit
-
Në momentin e vetë iftarit
Pyetja e dytë: Po gjatë pauzës midis dy hutbeve në ditën e xhuma?
Së pari, Profeti ﷺ mbante dy hutbe ditën e xhumasë dhe midis tyre bënte një pushim të shkurtër duke u ulur në minber.
Së dyti, nuk është përcjellë as nga Profeti ﷺ dhe as nga sahabët ndonjë duà apo dhikër i caktuar gjatë kësaj pauze.
A lejohet të bëhet duà në këtë kohë?
Po, lejohet që dikush ta shfrytëzojë këtë moment për të bërë duà, por pa e thënë me zë të lartë, në mënyrë që të mos shqetësojë të pranishmit.
Nuk ka ndonjë argument të saktë që vërteton ngritjen e duarve në këtë rast, prandaj më e mira është të mos ngriten duart.
Gjatë hutbes së xhumasë, Profeti ﷺ nuk i ngrinte duart kur bënte duà, prandaj nuk duhet të ngrihen as mes dy hutbeve.
Allahu e di më së miri!
Dr. Adelina Kuçana