Pyetja:
Jam duke përfunduar një shkollë kuzhine, me pak fjalë dal kuzhinier. Në fillim, kur u regjistrova në këtë shkollë, nuk e dija që në gatimet e shumta përdorej vera dhe konjaku për t’u dhënë shije gjellëve të ndryshme që gatuhen, por më vonë e mësova këtë gjë. Desha të pyes se a është haram ta përdor verën në gatime? Po nëse dikush apo dhe vetë unë ha nga këto gjellë që u është hedhur pak verë, a është mëkat?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Përdorimi i pijeve alkoolike është i ndaluar, pa marrë parasysh a është për vete apo për dikë tjetër. Prandaj, përdorimi i verës në gatime është i ndaluar dhe ju duhet t’i ikni kësaj.
Transmetohet se Enes ibën Maliku ka thënë: “Pejgamberi ﷺ në çështjen e alkoolit i ka mallkuar dhjetë lloje njerëzish: atë që e shtrydh, atë të cilit i shtrydhet ajo, atë që e pi, atë që e bart, atë të cilit i bartet, atë të cilit i shërbehet, atë që e shet, atë që ha nga fitimi i tij, atë që e blen, atë të cilit i blihet.” [1]
Ajeti me të cilin ndalohet pirja e alkoolit ka ardhur në formën me të cilën kërkohet nga muslimani që të largohet nga alkooli në përgjithësi, pra jo vetëm pirja.
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Prandaj, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide, 90)
Pastaj, rregulli i përgjithshëm në sheriatin islam është që muslimanët duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin në punë të mira e jo të ndihmohen në mëkate. Ashtu siç sqarohet ky rregull në ajetin kuranor: “…Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e jo në mëkate e armiqësi…” (Maide, 2)
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
——————————
[1] Tirmidhiu