Pyetje:
Kam dëgjuar nga një hoxhë i nderuar se kur njeriu lutet, Allahu nuk ia pranon lutjen nëse pasuria, shtëpia dhe rrobat e tij janë nga harami. Ka pasur shumë raste kur daja im më ka blerë rroba, mirëpo në shumicën e rasteve ato kanë qenë të blera me para haram, sepse daja nuk punon dhe luan bixhoz (nëpër bastore).
Ju lutem, nëse është e mundur, më tregoni urgjentisht se si duhet të veproj me ato rroba që i kam nga ai. A duhet t’i dhuroj ndonjë fukarai apo t’i hedh?
Përgjigja: Është e vërtetë se Allahu nuk e pranon lutjen e njeriut i cili ushqehet dhe veshmbathet me haram. (Transmeton Muslimi 1015)
Ndërsa sa i përket pranimit të dhuratës nga të tjerët të cilët pasurinë e tyre e kanë fituar me haram, lejohet një gjë e tillë, ngase Pejgamberi (salallahu alejhi veselem) e ka pranuar dhuratën edhe prej jomuslimanëve.
Përveç nëse dhurata është haram në vetëvete, si: alkooli, instrumentet muzikore, etj. apo pasuri e vjedhur, e uzurpuar, etj. Në këto raste, nuk lejohet pranimi i dhuratës nga ai i cili të dhuron atë.
Kështuqë rrobat të cilat i ka blerë daja i juaj me pasuri të fituar në mënyrë të ndaluar, për të është haram veshja e atyre rrobave. Ndërsa ti i ke të marrura ato në mënyrë të lejuar dhe për ty është e lejuar veshja e tyre.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami





