Pyetja:

I kam 3 fëmijë: 2 çika dhe një djalë. Tani jam shtatzëne në javën e 6-të, por po dua të abortoj se i kam çikat e mëdha dhe lindja e djalit s’ka qenë shumë e mirë. Dua t’ju pyes: a kam dënim te Zoti dhe a mund të më sprovojë Zoti te fëmijët që i kam?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Në hadithe të sakta është vërtetuar se Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi ﷺ, mëshira e dërguar për njerëzimin dhe për të gjitha krijesat, ai i cili njihte më së miri Zotin e Lavdëruar dhe nuk fliste nga mendja e tij, ka nxitur në shtimin e numrit të muslimanëve. Në hadithet e sakta të përcjella nga Nesaiu, Ebu Davudi dhe Imam Ahmedi, përmendet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Martoje atë (grua) që është e dashur dhe që lind shumë fëmijë!” kurse në një variant tjetër të hadithit thuhet: “Shtoni pasardhësit, ngase Ditën e Gjykimit unë do të krenohem me ju para popujve tjerë!”

 

Motër e nderuar, Allahu i Lartësuar nuk e ka ngarkuar njeriun me gjëra të cilat nuk ka mundësi t’i përballojë. Të kthehemi atje nja dymijë e njëzet e një vite më parë, kur e devotshmja, gruaja e dëlirë dhe e ndershme, Merjemja, lindi të ndershmin, profetin Isain (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të dy)! Pa medito vetëm pakëz: Një grua e re në moshë, e pamartuar, shërbëtore e tempullit të shenjtë – xhamisë Aska, bijë e dy prindërve të ndershëm, sprovohet që ta lind një fëmijë pa baba, pa qenë e martuar e pa pasur kurrë kontakte me meshkuj, me vullnetin e Zotit të Lartësuar. Përkujtoje atje kur melaqja e Allahut Fuqiplotë i paraqitet dhe i thotë se është i dërguar prej Zotit që në barkun e saj të krijohet një shpirt me Emrin e Allahut. Vallë, çfarë sprove më të madhe mund të ketë se kjo!? Përpos dhembjeve që çdo grua përjeton nga një lindje, ajo u detyrua të përballej edhe një sprovë tjetër më të rëndë se të gjitha: Si t’ua shpjegonte njerëzve se ajo ka lindur një foshnjë pa pasur kontakt me ndonjë burrë!? … Vështirësi mbi vështirësi …! Por, pasi që situata arriti deri në atë shkallë saqë Merjemja lutej: “Ah sikur të kisha vdekur para kësaj e të isha fare e harruar!”, mu atëherë, ishte Allahu Ai që e çoi në vend urdhrin e Tij duke bërë që Merjemes t’i bien nga lart hurmat e njoma të palmës kurse nga toka t’i burojë uji, në momentet e lindjes, për ta finalizuar këtë me mrekullinë e të folmes që ia dhuroi Isait pak çaste pas lindjes, për t’i bindur njerëzit se ai vërtetë ishte një mrekulli e zbritur nga Allahu dhe profet, dhe për ta bindur Merjemen se vërtet pas vështirësisë vjen lehtësimi, për çdonjërin që mbështetet vetëm tek Allahu i Plotfuqishëm.

Motër e nderuar, e kupton dot se çfarë do të thotë të sjellësh në jetë një njeri?! Vërtet, mundimet nëpër të cilën kalon një grua gjatë periudhës së shtatzënisë dhe lindjes, të gjitha një ditë do të kalojnë dhe do të harrohen, ndërsa të bëhesh shkaktare që në këtë botë të vijë një krijesë e re, e cila, ku e di ti, ndoshta do ta ndryshojë shoqërinë për të mirë, ndoshta do të jetë një fëmijë i hairit që do t’ua zbardhë fytyrën prindërve të tij, ndoshta do të sjellë hare dhe harmoni të pashoqe në familje, ndoshta do të bëhet një udhëheqës i drejtë prej të cilit do të përfitojnë gjenerata e gjenerata, apo një vajzë e ndershme që të tjerët do t’ia kenë lakmi për devotshmërinë dhe suksesin e saj, ndoshta mundimet nëpër të cilat kalon nëna e tij apo babai për lindjen e pastaj rritjen e atij fëmije do të bëhen shkaktarë që prindërit ta fitojnë Xhenetin e begattë! E si të mos jetë kështu kur Pejgamberi ﷺ na mësoi që kush edukon dhe rritë mirë dy vajza, me moral e sjellje të mirë, ato do të bëhen shkaktare për hyrjen e prindërve në Xhenet! Pastaj na mësoi se prej gjërave të pakta që njeriu përfiton nga to pas vdekjes është një fëmijë i mirë që lutet vazhdimisht për prindërit e tij pasi që ata të kenë vdekur.

Vallë duhet që dikush nga qeveria të vijë me premtime për të ardhura shtesë për çdo fëmijë të lindur që të na bind se duhet të shtojmë numrin e fëmijëve, e të harrojmë shpërblimin e madh që na premtoi Allahu dhe i Dërguari i Tij për shtimin e pasardhësve muslimanë?! Vallë duhet që armiqtë tanë të shtohen e ne të vazhdojmë t’i frikësohemi të ardhmes?! Allahu ka garantuar furnizimin (riskun) e çdonjërit që vjen në këtë botë – e ka shkruar qëkurse ka qenë foshnjë në barkun e nënës.

Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuranin Famëlartë: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e skamjes. Ne i ushqejmë edhe ata edhe juve, mbytja e tyre me të vërtetë është mëkat i madh.” (Isra, 31)

 

Motër e nderuar, gjëja për të cilën s’ka kurrfarë dileme është se, aborti i qëllimshëm pasi që fëmijës i është futur shpirti, përkatësisht pas 4 muajve të krijimit të tij (120 ditëve), është haram në çfarëdo rrethane qoftë.

Kurse, sa i përket përjashtimeve për abortin në faza të hershme, gjegjësisht në dyzetditëshin e parë të embrionit, këtë gjë dijetarët e kanë lejuar në raste shumë të kufizuara, siç janë:

1 – Nëse shëndeti i nënës është i rrezikuar (për jetë) atëherë:

  1. Mënyra e parë e vlerësimit është sipas sëmundjes prej së cilës kihet frikë: Kriteri i vlerësimit të kësaj është raporti mjekësor nga një mjek i specializuar dhe i besueshëm, i cili duke u mbështetur në rrethanat e formimit të fëmijës dhe fakteve mbështetëse mendon se shëndeti i nënës është i rrezikuar.
  2. Mënyra e dytë e vlerësimit është sipas gjendjes reale të trajtimit: Kriteri i vlerësimit të kësaj është: S’ka mënyrë tjetër për ta shpëtuar nënën përveç përmes abortimit të fëmijës, e në këtë rast:

– Nëse embrioni ende nuk ka shpirt, pra para se të plotësohen 120 ditë: lejohet aborti, gjithmonë nëse prej kësaj varet jeta e nënës. Madje, këtu disa kanë thënë se obligohet aborti.

Sa i përket këtyre që i përmendëm, duhet të plotësohen disa kushte:

– Rreziku të jetë real

– Të dëshmohet nga dy mjekë të besueshëm specializantë të fushës

– Rreziku të jetë drejtpërdrejt i lidhur me mbetjen e embrionit në bark

– Të jetë e pamundur çfarëdo metode tjetër përveç abortit.

Kurse sa i përket fazës kur fëmijës i futet shpirti, është çështje që kërkon shtjellim më detaj.

 

2 – Nëse ka ngjarë përdhunim: Nëse një grua është e njohur për nderin e saj por mbetet shtatzënë nga përdhunimi (këtu futet edhe metodat e detyrimit si: nëse përdhunuesi e vë në gjumë, e drogon, e deh, dhe gjëra të ngjashme) ndërkohë embrioni nuk e ka kaluar dyzetditëshin e parë, atëherë, me qëllim të ruajtjes së nderit të saj dhe përkrahjes së saj për ta tejkaluar këtë situatë të vështirë, duke qenë embrioni ende në fazën shumë të hershme, i lejohet një gjë e tillë. E, po qe se embrioni e ka kaluar dyzetditëshin, atëherë vetëm se ka filluar formimi i embrionit, andaj dijetarët kanë thënë se nëse ka mundësi të lind fëmijën pa u vërejtur, si p.sh. ndërrim i vendbanimit dhe gjëra të ngjashme, atëherë e bën, përkundrazi i lejohet aborti për ta ruajtur nderin e saj, përderisa ka qenë e detyruar.

 

3 – Nëse kihet frikë se foshnja mund të lind me të meta, me sëmundje apo të vdes, atëherë kemi tri raste:

  1. Nëse kihet frikë nga mutacionet/të metat dhe kjo vërtetohet para se embrionit t’i futet shpirti, atëherë lejohet aborti. E, nëse kjo vërtetohet pas 120 ditësh, pra pas futjes së shpirtit, nuk lejohet aborti.
  2. Nëse nëna goditet nga një sëmundje dhe vërtetohet se fëmija është prekur nga po e njëjta sëmundje (e rëndë), nëse i është futur shpirti në kohën kur është goditur nga sëmundja, nuk lejohet aborti. E nëse kjo ka ndodhur në dyzetditëshin e parë, pra ende pa u formuar gjymtyrët, atëherë lejohet. E nëse ndodh pas kësaj, atëherë nuk bën që të humbet një jetë për dyshimin e përhapjes së sëmundjes përderisa në shumicën e rasteve vetëm 10% e frikës së kalimit të sëmundjes dalin të sakta.
  3. Nëse kihet frikë vdekja e foshnjës apo vërtetohet se ka vdekur:

– Nëse vdes nëna kurse foshnja është e gjallë në bark, lejohet çarja e barkut të nënës për ta nxjerrë foshnjën, me kusht që dyshimi se fëmija është i gjallë në bark të jetë dyshim i bazuar mirë dhe me kusht që mjekët e specializuar ta vlerësojnë se koha e kaluar prej vdekjes së nënës e deri te nxjerrja e foshnjës nga barku i saj të jetë kohë e mjaftueshme që fëmija të dalë i gjallë.

– Nëse foshnja vdes në barkun e nënës si pasojë e sëmundjes apo keqtrajtimit: Në këtë rast lejohet abortimi i foshnjës, por duke i kushtuar rëndësi që, nëse ka mundësi që kjo të bëhet pa prerje cezariane dhe pa pastrim të mitrës copa-copa, atëherë të bëhet pa këto.

 

Pra, motër e nderuar, në pika të shkurtra, këto janë rastet kur lejohet aborti. Themi se, duke u bazuar në atë që ju e cekët më lart, nuk përfshiheni në asnjërën prej këtyre rasteve, madje, dyshimi i juaj dhe frika për lindje mund të jenë krejt të pabaza. Sa ka raste kur nëna ka hequr të zinjtë e ullirit për ta lindur njërin fëmijë, ndërsa fëmijën tjetër e ka lindur pa vështirësi të mëdha, apo anasjelltas. Siç e cekëm më lart tek shkrimi, arsyet për të abortuar një fëmijë janë shumë të kufizuara dhe një gjë e tillë nuk lejohet përveçse me plotësimin e kushteve dhe rrethanave që i kanë përmendur dijetarët.

 

Mbështetju Zotit, Krijuesit, të Gjithëmëshirshmit dhe të Gjallit që mbikëqyr çdo gjë, dhe vazhdo misionin tënd për të sjellë në jetë një krijesë të re në dashtë Allahu! Allahu e di më së miri! Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

Përgatiti: Hekuran Helshani