Pyetja:

A është dënimi i varrit nga çështjet e të padukshmes, apo të botës së dukshme? Cila është arsyeja përse kjo është nga çështjet e së padukshmes?

***

Përgjigjja:

Dënimi i varrit është një nga çështjet e së padukshme. Sa e sa njerëz në këto varre janë duke u dënuar ndërsa ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë? Dhe sa e sa nga fqinjë të tyre janë të bekuar me hapjen e derës për në xhenet ndërsa ne nuk jemi të vetëdijshëm? Çfarë ka në varre e di vetëm i Dijshmi mbi të padukshmen. Dënimi i varrit është një nga çështjet e së padukshmes dhe, sikur të mos ishte shpallja që i zbriti pejgamberit ﷺ, ne nuk do të dinim rreth kësaj. Kështu, kur një grua çifute hyri te Aisha dhe i tha se të vdekurit dënohen në varr, ajo u alarmua, derisa Pejgamberi ﷺ erdhi dhe ajo i tregoi për këtë dhe ai ia vërtetoi. Por, Allahu mund ta bëjë këdo nga robërit ta shohë këtë, ashtu siç e bëri pejgamberin t’i shohë dy burrat të cilët po dënoheshin, njëri ngaqë ishte marrë me thashetheme, kurse tjetri ngaqë nuk ishte ruajtur nga urina. Arsyet përse kjo është ndër çështjet e së padukshmes, janë këto në vijim:

1. Allahu është më i mëshirshmi ndër ata që mëshirojnë, sepse, sikur ta shihnim dënimin e varrit, kjo do të na e bënte jetën të mjerueshme. Po të dinte personi që babai i tij apo vëllai, apo bashkëshorti, apo ndonjë i afërm është duke u dënuar në varr dhe ai s’ka mundësi t’i ndihmojë, atëherë ai do të vuante dhe s’do të mund të rehatohej. Pra, ky është një bekim nga Allahu.

2. Kjo do të ishte një skandal për të vdekurin. Nëse Allahu e ka fshehur dhe ne s’i kemi parë gjynahet e tij, të cilat kanë qenë një çështje mes tij dhe Zotit të tij, pastaj ai vdes dhe Allahu na e tregon dënimin e tij, kjo do të ishte një skandal për të. Kështu, fshehja e tij është një mëshirë nga Allahu ndaj të vdekurit.

3. Varrosja e të vdekurit do të ishte e vështirë, siç është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Sikur të mos e kishit varrosur njëri-tjetrin, do ta lusja Allahun t’jua mundësojë të dëgjoni dënimin e varrit”. [1] Kjo tregon se varrimi do të vështirësohej dhe njerëzit nuk do ta kryenin këtë, edhe pse, nëse personi e meriton të dënohet, ai do të dënohet, edhe nëse mbetet mbi sipërfaqe të tokës. Por, njerëzit do të mund të mendonin se dënimi ndodh vetëm kur personi të jetë varrosur, kështu që s’do ta varrosnin njëri-tjetrin.

4. Sikur të ishte e dukshme kjo, besimi në të s’do të kishte kurrfarë qëllimi, sepse do të ishte e dukshme dhe askush s’do ta mohonte. Dhe kjo do t’i detyronte krejt njerëzit të besonin, siç thotë Allahu i lartësuar: “Kur ata panë dënimi Tonë, thanë: Vetëm në Allahun besojmë.” (Ghafir: 84) Kështu, sikur njerëzit t’i shihnin të varrosurit dhe të dëgjonin britmat e tyre, ata do të besonin dhe kurrkush s’do të mohonte, sepse ai do të ishte i sigurt se dënimi është i vërtetë dhe do ta shihte me sytë e vet, sikur t’i ndodhte vetë atij. Urtësia e Allahut është e madhe. Besimtar i vërtetë është ai, që beson bindshëm në atë çfarë i tregon Allahu më shumë sesa në atë çfarë sheh me sytë e vet. Sepse ajo çfarë na thotë Allahu, s’mund t’i nënshtrohet ngatërrimeve dhe rrenave, kurse ajo çfarë shohin sytë, mund të jetë imagjinare. Sa e sa njerëz janë betuar të kenë parë hënën e re, e cila, në fakt, ishte një yll. Sa e sa njerëz pretenduan se panë hënën e re dhe ajo doli të jetë një qime e bardhë në vetullën e tij. Sa e sa panë një hije për të cilën mendohej se ishte një person që po shkonte në drejtim të tyre dhe në fund doli të jetë një dru palme. Sa e sa njerëz panë të lëvizte një objekt i palëvizshëm dhe panë një objekt të lëvizshëm të rrijë i qetë. Kurse, ajo çfarë na thotë Allahu, s’mund të jetë e ngatërruar. E lusim Allahun të na bëjë të qëndrueshëm, se ajo çfarë na thotë Allahu rreth këtyre çështjeve, është më e fortë se ajo që mund të shohim ne. Dhe fshehja është në dobi të njerëzve. Allahu e di më së miri.

Shejh Ibn Uthejmin, “Mexhmu Fetaua” 2/32

———————————

[1] Muslimi 2868