Të dëshiruarit e vdekjes për shkak të sprovave

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka ndaluar që besimtari ta dëshirojë vdekjen, “Askush prej jush mos ta dëshirojë vdekjen. Njeriu ose është besimtar i mirë dhe shton vepra të mira ose është mëkatar dhe pendohet.” Mendja e shëndoshë dhe ana fetare na bëjnë të kuptojmë se besimtari nuk duhet ta dëshirojë vdekjen ngase me të ndërpriten të gjitha veprat e tij. Ka mundësi që njeriu ta dëshirojë vdekjen dhe të ketë gjendje jo të mirë kur vdesë.
  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Askush prej jush mos ta dëshirojë vdekjen për shkak të një sprovë që e ka goditur.” Vështirësia e dhënies së shpirtit është më e madhe sesa të gjitha sprovat nëpër të cilat kalon besimtari në këtë botë.
  • Në jetën e gjatë ka mirësi për besimtarin, ose do të shtojë veprat e mira ose do të pendohet prej mëkateve. Kur e kanë pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se cili është njeriu më i mirë ka thënë: “Ai i cili ka jetë të gjatë me vepra të miraNdërsa, njeriu më i keq është ai që ka jetë të gjatë me vepra të këqija.” Besimtari duhet ta lusë Allahun t’i japë jetë të gjatë dhe t’ia mundësojë të bëjë vepra të mira e të ruhet prej mëkateve. Kjo është në dobi të besimtarit. Një tesbih (thënia subhanAllah) që e thotë, është më mirë për të sesa krejt bota dhe çfarë ka në të, ngase kjo botë do të shkatërrohet, ndërsa shpërblimi për këtë tesbih do të mbetet përherë në ahiret.
  • Është e ndaluar që besimtari të kërkojë vdekjen, sepse e ka ndaluar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (siç përmendëm hadithin).
  • Prej sprovave nëpër të cilat kalon besimtari ka vetëm dobi. Nëse tregohet i durueshëm atëherë ato ia shlyejnë mëkatet dhe do të shpërblehet për durimin. Allahu thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë” Zumer 10. Në sprova sado që janë të mëdha ka vetëm dobi.
  • Kërkimi i vdekjes është një lloj zemërimi e mospajtimi ndaj kaderit të Allahut. Kur njeriu sprovohet me fatkeqësi të ndryshme dhe dëshiron vdekjen kjo tregon për një zemërim dhe mospajtim ndaj kaderit të Allahut. Besimtari duhet të tregohet durimtar gjatë sprovave.

Hoxhë Lulzim Perçuku
https://udhezimi.com/