Pyetja: 

A lejohet të emërtohen fëmijët me emra melekësh apo thjesht melek?

***

Përgjigjja:

Emrat në konceptin islam duhet të jenë të mirë në kuptim. Andaj shikojmë se Profeti ﷺ ia ndërronte sahabëve emrat me kuptim të keq ose të shëmtuar, po ashtu edhe emrat që në kuptim mund të çonin në vetëpëlqim, krenari apo lavdërim para të tjerëve, sepse Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Mos i lëvdoni vetvetet tuaja, Allahu e di më së miri cilët janë të devotshmit.”  (Nexhm: 32).

Në një hadith profetik nga Ebu Hurejre na përcillet, se Zejnebeja e kishte emrin Berreh (dmth; e mbarë dhe me mirësi), por thanë se ajo me këtë po lavdëron veten, andaj i Dërguari i Allahutﷺ e emërtoi Zejnebe. [1]

Sipas një versioni tjetër kur Profeti ﷺ mori vesh për emrin e saj tha: “Mos lavdëroni vetvetet tuaja. Allahu e di më së miri, se kush janë më të mirët në mesin tuaj.” E pyetën: “Si ta emërtojmë?” Ai tha: “Zejnebe”.

Ndërsa për sa i përket emërtimit me emra melekësh disa dijetarë si imam Maliku, Harith ibn Miskini e të tjerë, e konsiderojnë të ndaluar ose mekruh (të papëlqyer) duke u argumentuar edhe me hadithin, ku thuhet: “Emërtohuni me emra Profetësh, por jo me emra melekësh.” [2]

Ndërsa shumë dijetarë të tjerë mendojnë, se nuk është mekruh të vendosen emra melekësh, prej tyre medh’hebi Shafi dhe medh’hebi Hanbeli, për vetë arsyen se hadithi i mësipërm është i dobët dhe po ashtu emërtimi me emra melekësh nuk futet te hadithet, që ndalojnë emërtimet për shkak të vetëpëlqimit.

Sidoqoftë për të qenë më të sigurtë mendojmë, që të zgjidhen emra të tjerë të shumtë me kuptime të mira me të cilat fëmijët do të njihen në shoqërinë ku jetojnë, dhe me ato emra do të thirren në Ditën e Gjykimit.

Allahu e di më së miri.

Komisioni i pyetje-pergjigjeve prane LHSH-se

——————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2]  Bejhekiu, “Shuabul Iman”