Pyetja:

Na ndodh disa herë që të na duhet të hyjmë në banjo (WC) teksa me vete kemi librin e Kuranit, të cilin nuk kemi ku ta lëmë? A lejohet që në këtë rast të merret Kurani me vete në banjo? Po dëgjimi i Kuranit, teksa gjendemi në banjo, a përbën gjynah?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Fillimisht lipset të dihet, se Kuran quhet vetëm teksti origjinal në arabisht i Kuranit i njohur me emërtimin Mus’haf.

Kurse sa i përket etikës së banjos lidhur me dispozitat përkatëse lidhur të madhërimit të Kuranit, thuhet sa vijon:

Së pari: Futja e Kuranit (ose ndezja e aparatit të këndimi të tij) në nevojtore

Në këtë kontekst na duhet të sqarojmë paraprakisht se me nevojtore nënkuptohet vendi i posaçëm ku gjendet ndenjësja e WC-së (pajisje hidrosanitare e tipit tualet alla-turka, ose klozet alla-franga që varet në mur) ku kryhet nevoja (jashtëqitja) e madhe ose ajo e vogël (urinimi). Ndërsa banjoja (vendi) ku nuk ka WC (nuk kryhet nevoja dhe as urinimi) por thjesht lahet trup a merret abdes, nuk konsiderohet nevojtore, pasi në to nuk ka nexhase (pisllëk), prandaj si rregull (parimisht) i këtillë vend nuk i nënshtrohet dispozitave të nevojtores.

Hyrja në nevojtore me Kuran (librin origjinal të Kuranit në arabisht) ose pjesë të tij (xhuz/ kapitull apo fletë prej Kuranit) është vepër e ndaluar (këtu hyn rrjedhimisht edhe ndezja e aparatit të këndimit të Kuranit brenda nevojtores), pra është haram (ndalesë e ndëshkueshme).

Së dyti: Futja e Kuranit (ose ndezja e aparatit të këndimi të tij) në banjon që s’ka WC (nevojtore)

Në lidhje me lejimin e leximit të Kuranit (apo ndezjes së aparatit të këndimit të Kuranit) në banjot ku vetëm lahet trupi dhe s’kanë në brenda WC (nevojtore), mendimi më parësor është se kjo është e papëlqyeshme, pasi Kurani lipset të lexohet vetëm në vende të dëlira dhe të ruhet e mbahet larg vendeve të larjes (bërjes banjë) dhe heqjes së pisllëkut prej trupit.

Së treti: Hyrja në nevojtore me kaseta apo aparate me aplikacione të Kuranit

Sa i përket mbajtjes me vete në nevojtore të kasetave me Kuran, mendimi më parësor është se e tillë gjë nuk ka problem të veprohet, pasi kasetat në fjalë nuk përmbajnë gërma të dukshme të shkrimit të Kuranit që përbëjnë në fakt arsyen e dispozitës së ndalimit të përmendur nga dijetarët, por ajo çfarë ndalohet është vënia në funksion e këtyre kasetave brenda nevojtores.

Së katërti: Leximi/Dëgjimi i Kuranit me zemër në banjo

Dijetarët kanë theksuar se nëpërmendja e Kuranit me zemër në nevojtore nuk përbën ndonjë problem, pra rrjedhimisht nuk është vepër e papëlqyeshme, qoftë edhe nëse Kurani lexohet me zemër (me mendje) qëllimisht gjatë kryerjes së jashtëqitjes, por me kushtin që gjuha të qëndrojë e palëvizur.

Allahu e di më mirë.

Bashkim Aliu