Pyetja:
Jam duke studiuar në Kanada, dhe në një xhami janë duke u zhvilluar disa ndërtime me qëllim të zgjerimimt të saj. Andaj, për momentin, nuk ka mjaft hapsirë për të gjithë që të falen në namazin e xhumasë. Për këtë arsye, në këtë vend Xhumaja falet dy herë, me qëllim që t’u mundësohet të gjithëve të falen. Mirëpo, problemi qëndron se falja e parë fillon në ora 12.30, që do të thotë përafërsisht një orë para se të hyjë koha e faljes. A lejohet një gjë e tillë sipas ndonjë dijetari? Dhe si është vendimi lidhur me namazet që i kam falur më parë në këtë kohë?
***
Përgjigjja:
Lavdi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.
Shumica e dijetarëve Hanefij, Malikij and Shafij janë të mendimit se namazi i xhumasë mund të falet vetëm pasi që dielli të kalojë zenitin (pak pas mesditës). Hanbelitë mendojnë se lejohet të falet xhumaja edhe para se dielli të kalojë zenitin. [1]
Megjithatë, preferohet që namazi i Xhumasë të falet pasi dielli të kalojë zenitin. Nëse nuk ka zgjedhje tjetër përveçse të falet namazi i Xhumasë rreth një ore para se dielli të kalojë zenitin, nuk prish punë. Dijetarët e Komisionit të Përhershëm për lëshimin e fetvave u pyetën: “A është e lejuar të falim namazin e xhumasë një orë para se dielli të kalojë zenitin, për shkak se na duhet të shkojmë për të punuar në Francë? Ju lutem keni parasysh se, në qoftë se ne nuk e falim namazin e xhumasë para se të shkojmë në punë, që është një orë para se dielli të kalojë zenitin, ne nuk do të mund të falim namazin e Xhumasë. A e lejon këtë domosdoshmëria?”
Ata u përgjigjen: “Ka dallim mendimesh mes dijetarëve në lidhje me fillimin e kohës për namazin e xhumasë. Shumica e fukahave (juristëve) janë të mendimit se fillimi i kohës për xhumanë është i njëjtë me fillimin e kohës për namazin e Drekës, që është kur dielli të kalojë zenitin, kështu që nuk është e lejuar të falet namazi i xhumasë shumë kohë apo pak kohë para se dielli të kalojë zenitin, dhe namazi i falur në këtë kohë nuk është i vlefshëm, sepse Seleme ibn el-Akwa tha: ‘Ne e falnim namazin e xhumasë me Profetin ﷺ, kur dielli kalonte zenitin, dhe më pas ktheheshim dhe kërkonim hije’. [2] Dhe për shkak se Enesi tha: ‘I Dërguari i Allahut ﷺ falte namazin e xhumasë, kur dielli kalonte zenitin’. [3]
Një numër i dijetarëve thanë se nuk është e lejuar të falet para orës së gjashtë apo të pestë (të ditës së xhuma). Imam Ahmed ibn Hanbeli dhe një numër i dijetarëve tjerë ishin të mendimit se fillimi i kohës për namazin e Xhumasë është i njëjtë me atë të fillimit të kohës së namazit të Bajramit. Sa i përket kohës kur dielli të kalojë zenitin, ky është fillimi i kohës kur bëhet obligim nisja e namazit të xhumasë. Ata e cituan si dëshmi për lejueshmërinë e faljes së namazit të Xhumasë para se të kalojë dielli zenitin hadithin e Xhabirit radiallahu anhu i cili tha: ‘I Dërguari i Allahut, ﷺ, falej – d.m.th. xhumanë -, pastaj ne shkonim te devetë tona dhe i dërgonim për t’u dhënë ujë, kur dielli kishte kaluar zenitin’. [4]
Dhe Seleme ibn el-Akwa radiallahu anhu tha: ‘Ne e falnim xhumanë me të Dërguarin e Allahut ﷺ, pastaj iknim ndërsa në mure nuk kishte ndonjë hije (d.m.th. dielli ishte në zenit).’ [5]
Për të bashkërenditur hadithet mund të përmendim faktin se i Dërguari i Allahut ﷺ shumicën e herëve e falte namazin e xhumasë pasi dielli kalonte zenitin dhe, po ashtu, e falte pak kohë para se dielli të kalonte meridianin. Bazuar në këtë, preferohet që ta falim namazin e xhumasë pasi dielli të kalojë zenitin, duke i kushtuar vëmendje asaj që Profeti ﷺ bënte zakonisht, në mënyrë që t’i shmangemi dallimit të mendimeve mes dijetarëve. Kjo tregon se kjo çështje i takon ixhtihadit dhe është gjithëpërfshirëse. Andaj, nëse dikush e fal namazin e xhumasë pak para se dielli të kalojë zenitin, namazi i tij është i vlefshëm, inshaAllah, veçanërisht në qoftë se ka justifikime, si ato që u përmenden nga pyetësi”. (Fetaawa el-Lexhneh ed Daa’imeh, 8/216-217)
Shejh Ibn Xhibrîn u pyet: “Ne jemi studentë nga Arabia Saudite që marrim bursë nga qeveria dhe studiojmë në Shtetet e Bashkuara. Ne e falim namazin e xhumasë një orë para se të hyjë koha e saj, meqë koha e faljes së xhumasë fillon në ora 13:15, kurse ne a falim atë në 12:15. Kjo është për shkak se një numër i studentëve kanë ligjërata në të njëjtën kohë dhe ata mund të falin namazin e xhumasë vetëm në këtë kohë. Nëse kjo është e lejuar për këta studentë, ka edhe disa të tjerë cilët nuk kanë ligjërata, por edhe ata, gjithashtu, falen në të njëjtën kohë me këta studentë, sepse ka vetëm një xhami. A pranohet namazi i tyre?” Shejhu (Allahu e mëshiroftë) u përgjigj: “Shumica e dijetarëve janë të mendimit se fillimi i kohës për namazin e xhumasë është i njëjtë si fillimi i kohës për namazin e Bajramit, që do të thotë pas përfundimit të kohës gjatë së cilës nuk është e lejuar të falemi (pas namazit të sabahut), dhe zgjat deri në kohën e fillimit të ikindisë. Por, ata e konsiderojnë si mustehab (të pëlqyeshme) faljen e namazit të xhumasë pasi dielli ka kalojë zenitin, d.m.th. kur të fillojë koha për namazin e drekës, për shkak se ai falet në vend të namazit të drekës, dhe kjo ishte koha e zakonshme e namazit tëxhumasë nga koha e Profetit ﷺ dhe koha e kalifëve të udhëzuar drejt. Por, ka disa të dhëna të cilat tregojnë se disa nga Sahabët e falnin namazin e xhumasë më herët, para se dielli të kalonte zenitin. Meqë ekziston arsyeja e të qenët i zënë gjatë kohës së zakonshme të faljes së namazit të xhumasë, nuk është gabim të falim këtë namaz përafërsisht një orë më herët, sepse kjo është e lejuar sipas shumë dijetarëve dhe ngaqë ka arsyetim për faljen e saj më herër. Bazuar në këtë, nuk ka asgjë të keqe për të gjithë ata të cilët falen në kohën e përmendur, edhe pse arsyetimi vlen vetëm për disa prej tyre dhe jo të për të gjithë. Allahu e di më së miri”.
Shejh Ibn ‘Uthejmin u pyet: “Janë disa ligjërues të cilët hyjnë në xhami në ditën e Xhuma dhe fillojnë hytben para kohës së namazit të xhumasë; nganjëherë falja fillon atëherë kur dielli akoma nuk e ka kaluar zenitin. A është kjo e drejtë?” Ai u përgjigj: “Rreth kësaj çështjeje – d.m.th. mbajtjes së hytbes dhe faljes së namazit të Xhumasë para se dielli të kalojë zenitin – ka dallim mendimesh në mesin e dijetarëve. Disa prej tyre thonë se nuk lejohet të falet namazi i xhumasë, derisa dielli të kalojë zenitin. Të tjerë thonë se është e lejuar. Mendimi i drejtë është se është e lejuar një orë apo gjysmë ore para se dielli të kalojë zenitin”. (Lika’ el-Baab el-Meftûh, 16/19) Me sa vërehet nga sqarimet e mësipërme, namazi i Xhumasë lejohet të falet përafërsisht një orë para se dielli të kalojë zenitin. Sa i përket mbajtjes së dy Xhumave në të njëjtën xhami, kjo s’është e lejueshme. Dijetarët e Komisionit të Përhershëm për Fetva u pyetën: “Ka pak xhami në të cilat falen namazet e Xhumasë në Paris dhe në qytete të tjera dhe, përveç kësaj, këto xhami janë të vogla për besimtarët e shumtë të cilët dëshirojnë të falen. Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, me qëllim që të gjithë besimtarët të kenë mundësi të falin namazin e Xhumasë për të përmbushur detyrimin e faljes së Xhumasë në Francë, një prej tyre sugjeroi që namazi i xhumasë të falet në dy “ndërrime” në të njëjtën xhami, ku secili “ndërrim” do të kishte imamin dhe hatibin e vet (d.m.th. namazi i ndërrimit të parë të xhumasë të mbahet në kohën e duhur, dhe pas përfundimit të hytbes dhe faljes së namazit, të vijë imami tjetër dhe të mbajë hytben tjetër dhe të vazhdojë me namazin e xhumasë për adhuruesit të cilët pranuan të presin dhe të falen në ndërrimin e dytë. Cili është vendimi islamik për këtë?” Ata u përgjigjen: “Falja e dy xhumave në një xhami nuk është e lejuar sipas Islamit, dhe ne nuk dimë të ketë ndonjë bazë për këtë në fenë e Allahut. Parimi bazë është që të falet një namaz xhumaje në një qytet dhe të mos ketë disa xhuma, përveç nëse ka arsye legjitime sheriatike, si për shembull kur xhamia është tepër larg për disa nga ata për të cilët xhumaja është e obligueshme, apo kur xhamia e parë ku falet xhumaja është tepër e vogël për t’u falur të gjithë besimtarët në të, apo arsye të ngjashme që justifikojnë mbajtjen e xhumasë së dytë. Në këtë rast, një xhuma tjetër duhet të mbahet në një vend që do të përmbushë qëllimin për të cilin xhumaja tjetër është duke u mbajtur. Vëllezërit të cilët e kanë bërë këtë pyetje duhet të kërkojnë një tjetër vend që është më në qendër për ata të cilët vijnë në xhaminë në fjalë për të falur xhumanë e dytë, dhe ata duhet të mbajnë një tjetër Xhuma në atë vend, edhe nëse ai vend nuk është xhami, si p.sh. ndonjë shtëpi private, kopshte të qytetit apo sheshe në të cilat autoritetet lejojnë faljen e namazit të xhumasë”. (Fetaawa el-Lexhneh ed-Daa’imeh, 8/262)
Allahu subhanu ue teala e di më së miri.
islamqa.info
————————————–
[1] el-Umm, 1/223; el-Mexhmû‘, 4/377-381; el-Insaaf, 2/375-376; el- Mewsû‘ah el-Fikhijjeh, 27/197-198
[2] Buhariu dhe Muslimi
[3] Buhariu
[4] Muslimi
[5] Ebu Davudi