Pyetja:

A lejohet të mbathim këpucë me take të larta si dhe përdorimi i kanës në periudhën e menstruacioneve?

***

Përgjigjja:

Nuk është e lejuar mbathja e këpucëve me take të larta. Personi që i përdor ato, ka mundësi të rrëzohet, ndërsa besimtari është urdhëruar të ruhet nga çdo gjë që i bën dëm. Ka thënë Allahu: “Mos e hidhni vetën në humbje me duart tuaja”; “Mos i mbytni vetet tuaja”.
Bartja e këpucëve të tilla e shfaq trupin e femrës dhe prapanicën e saj në një formë joreale, dhe kjo është një lloj dredhie. Po ashtu, në këtë mënyrë vjen deri tek shfaqja e bukurisë së femrës, çka femrat besimtare janë urdhëruar të mos e shfaqin. Allahu thotë: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin bukuritë e tyre , përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin bukuritë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre…” (Nur: 31)

Ndërsa sa i përket përdorimit të kanës në periudhën e menstruacioneve, nuk e dimë të ketë pengesë për këtë, dmth është e lejuar vendosja e kanës në periudhën e menstruacioneve, ashtu siç është e lejuar në periudhën e pastërtisë.

Komisioni i Përhershëm për Fetva, nr. 1678, 17/ fq. 123

Përktheu: Ergin Shala