Pyetja:

A mund të ma shpjegoni çështjen e therjes së kurbanit (dashit) në temelet e shtëpisë së re, vendosjen e hudrave, copës së kuqe në shtepi therjen e gjelit në shkallë kur ndërtohen të reja, vendosjen ujit zemzem, arit, grurit në themele të shtëpisë. Nëse mundeni përgjigjen pak më të gjatë për këto veprime shirku që veprohen vendet tona. Dhe diçka, veprimi i këtyre veprave a është shirk në vepër?

Përgjigja:

Falënderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë falënderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e veteve tona e nga të këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe atë që Ai e humb nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Së pari: Në lidhje me therjen e kurbanit themi se therja është adhurim që nuk i drejtohet vetëm se Allahut dhe nuk e meriton vetëm se Ai. Nëse dikush ther kurban për dikë tjetër përveç Allahut, siç është e përhapur në Shqipëri dhe në vende të tjera, si p.sh:. tek themelet e shtëpisë së re apo therja e gjelit për shkallët, apo therje për t’ju afruar xhinëve dhe çdo lloj therje tjetër (kurban) që i drejtohet dikujt tjetër përveç Allahut, është shirk i madh, sido që të jetë lloji i kurbanit kafshë qoftë ai apo shpend.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: Thuaj (o Muhamed): Me të vërtetë falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e gjithçkaje“. (ElAnam, 162)

Allahu në këtë ajet ka bashkuar kurbanin me faljen, ashtu sikurse njeriut nuk i lejohet që t’ia drejtojë faljen dikujt tjetër përveç Allahut, po ashtu nuk i lejohet që t’ia drejtojë kurbanin dikujt tjetër përveç Allahut. Dhe këto janë adhurime që veçohet vetëm Allahu me to.

Gjithashtu, thotë Allahu në Kuran: “Falu për Zotin tënd dhe bëj kurban vetëm për Të“. (El-Keuther, 2)

Transmetohet nga Aliu –radiAllahu anhu- se Profeti ﷺ ka thënë: “E mallkoftë Allahu atë që ther kurban për dikë tjetër përveç Allahut“. [1] Dhe mallkimi në kuptimin gjuhësor është nxjerrje dhe largim nga Mëshira e Allahut duke pohuar këtë cilësi prej Cilësive të Allahut.

Dhe ky është shirk në vepër, por çdo shirk në vepër kthehet tek shirku në besim, sepse ai pasi e beson e vepron atë, sikurse ka thënë dijetari Ibn Tejmije, dhe këtë gjë shumica e njerëzve nuk e kuptojnë.
Dobi: Nëse e ther bagëtinë për të falënderuar Allahun për Mirësinë që i ka thënë atij dhe fton të afërmit dhe të varfrit kjo, inshallah, nuk ka gjë.

Rreziku i shirkut të madh:

1. Shirku i madh të nxjerr nga feja dhe nëse vdes me këtë shirk pa bërë pendim ai është gjithmonë në zjarr.

Thotë Allahu në Kuran: “Sigurisht që Allahu nuk fal të bërit shok Atij në adhurim (shirkun) dhe i fal kujtdo gjynahet e tjera nëse Ai dëshiron“. (En-Nisa, 116)

2. Shirku i madh është nga padrejtësitë më të mëdha që i bëhet Allahut. Thotë Allahu në Kuran: “Vërtetë që shirku është padrejtësi i madh“. (Lukman, 13)

3. Allahu ia ka bërë haram xhenetin për atë i bën shirk Atij.

Thotë Allahu në Kuran: “Nuk ka dyshim se kushdo që i vë shok në adhurim Allahut, atëherë Allahu e ka bërë haram (të ndaluar) xhenetin për të dhe vendbanimi i tij do të jetë Zjarri“. (El-Maide, 72)

4. Shirku i madh prish të gjitha veprat. Allahu thotë në Kuran: “Por sikur ata t’i kishin vënë shok Allahut në adhurim, gjithçka që ata kanë punuar do të kishte qenë pa asnjë vlerë për ta.” (En-Aam, 88)

5. Ai që bën shirk të madh pasuria e tij dhe gjaku i tij janë hallall.

Profeti ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar që t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë që nuk ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Allahut, nëse e thonë këtë, atëherë janë të mbrojtura nga unë gjaku i tyre dhe pasuria e tyre, veçse me thënien e kësaj shprehjeje dhe të vepruarit me të“. [2]

Së dyti: Në lidhje me vendosjen e hudhrave, apo copës së kuqe, apo vendosjes së brirëve apo të patkonjve kudo qoftë kjo vendosje: në shtëpi, makina etj. ky është shirk i vogël nëse ai beson që këto janë shkak për ruajtjen e këtyre vendeve që i ka vendosur. Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që var diçka i është mbështetur asaj“. [3]

Duhet të ketë frikë besimtari nga shirku i vogël, sepse ai të shpie në shirkun e madh.

Por nëse beson që këto (hudhrat,copa e kuqe, brirët apo patkonjtë) në vetvete janë mbrojtëse, atëherë ky është shirk i madh, sepse këto nuk sjellin as dëm, as dobi dhe nuk mbrojnë nga asnjë e keqe dhe Allahu është Mbrojtësi.

Përsa i përket ujit zemzem dhe vendosjes së tij në themelet e shtëpisë është i njëjti gjykim, sepse për ujin zemzem nuk ka ardhur asnjë argument që tregon se ka ndonjë veçori për vendosjen e tij në themele, por kanë ardhur argumente që ai është ushqim dhe shërim.

Gjithashtu, ari dhe gruri kanë të njëjtin gjykim, duke shtuar këtu gjynahun tjetër siç është shpërdorimi i kotë. Këto janë shirk në besim.

Le të ketë kujdes besimtari që të mos e lidhë zemrën me diçka apo me dikë tjetër, por gjithmonë të jetë i lidhur me Allahun.
Allahu e di më së miri.

Lus Allahun që të na ruajë nga shirku i madh dhe i vogël nga ai që e dimë dhe nga ai që nuk e dimë! Lus Allahun që të na japë dituri të dobishme, furnizim të mirë dhe vepra të pranuara!

Hariz Allkoçi

—————————–

[1] Muslimi

[2] Buhariu, Muslimi

[3] Ahmedi, Tirmidhiu