Pyetja:

Disa forma të ilaçeve, siç janë kapsulat nga xhelatina, në të cilat vendoset ilaçi, janë të prodhuara nga kolagjeni, që është një substancë e përfituar nga lëkura dhe eshtrat e bagëtive apo të derrave. Në vendin tonë, ne i importojmë këto nga Franca dhe i mbushim me ilaç, pastaj ato shiten nëpër barnatore. Si është vendimi për këtë?

***

Përgjigjja:

Lavdi Allahut. S’ka asgjë të keqe në përdorimin e xhelatinës apo të kapsulave nga xhelatina për ilaçe, nëse ajo nxirret nga lëkura apo eshtrat e një kafshe të therur në mënyrën islame. Sa u përket asaj që merren nga cofëtina (d.m.th. ajo që s’është therur si duhet) apo nga derri, ka dallim opinionesh mes dijetarëve. Sipas opinionit se istihaaleh është një mënyrë e pastrimit (d.m.th. transformimi i një substance haram e të papastër në një substancë tjetër, të pastër), s’ka asgjë të keqe në përdorimin e tyre. Sepse gjëja haram është shndërruar në një substancë tjetër, të lejueshme, për të cilën nuk vlen prova e ndalimit.
Lidhur me këtë, Ibn el-Kajjim tha: “Bazuar në këtë parim, alkooli është i papastër, edhe pse origjina e tij është e pastër. Nëse arsyeja e të konsideruarit e tij si i papastër nuk
është më i pranishëm (siç është rastit kur vera kalon në uthull), atëherë atë duhet konsideruar si të pastër. Kjo është baza e Sheriatit dhe baza për shpërblim dhe ndëshkim.
Bazuar në këtë, analogjia korrekte është se ky parim mund të zbatohet te të gjitha papastërtitë e tjera, nëse ato kalojnë nëpër një proces ndryshimi. Pejgamberi ﷺ hoqi mbetjet e idhujtarëve nga xhamia e tij, po nuk hoqi edhe dheun. Po ashtu, Allahu thotë se qumështi që vjen nga “midis sekretimit dhe gjakut.” (Nahl, 66). Muslimanët janë pajtuar njëzëri se, nëse një kafshë han gjëra të papastra, por më pas kapet dhe ushqehet me gjëra të pastra. Qumështi dhe mishi i saj bëhen të lejueshme. E njëjta vlen për të korrat dhe për frutat: nëse ato vaditen me ujë të papastër, por më pas vaditen me ujë të pastër, ato bëhen të lejueshme, për shkak të ndryshimit (istihaaleh) në gjënë e papastër, e cila tani bëhet e pastër. E kundërta, po ashtu, vlen: nëse gjëja e pastër kalon në diçka të papastër, atëherë ajo bëhet e papastër (naaxhis), siç është uji dhe ushqimi, kur këto kalojnë në urinë dhe jashtëqitje. Pra, si bëhet që ndryshimi të ndikojë në rastin kur e mira shndërrohet në të keqe, por të mos ndikojë në rastin kur e keqja shndërrohet në të mirë, kurse Allahu sjell gjëra të pastra nga gjërat e papastra dhe gjëra të papastra nga gjërat e pastra. Nuk është me rëndësi origjina e një gjëje, por gjendja e tanishme e saj. Është e pamundshme të mbetet vendimi i papastërtisë pasi të ndryshojnë emri dhe vetia dalluese. Vendimi ndërlidhet me emrin dhe vetinë dalluese, dhe ai është i pranishëm apo mungon, varësisht nga ajo se a janë këto (emri dhe vetia) të pranishme apo mungojnë. Teksti i cili trajton ndalimin nga cofëtina, gjaku, derri dhe alkooli, nuk trajton drithërat, frutat, zallin, kripën, dheun apo uthullën, qoftë në formulim, qoftë në domethënie, qoftë në tekst, qoftë në analogji. Ata që bëjnë dallim mes ndryshimit (istihaaleh) të alkoolit dhe të gjërave të tjera, thonë se alkooli bëhet i papastër, për shkak të procesit të ndryshimit, pastaj mund të bëhet i pastër, për shkak të procesit të mëtejmë të ndryshimit. Këtyre u është thënë se gjaku, urina dhe jashtëqitja u bënë të papastra, për shkak të një procesi të ndryshimit, kështu që ato mund të bëhen të pastra, për shkak të një procesi të mëtejmë të ndryshimit. Kështu, analogjia është në përputhje me tekstin.” [1]
Specialistët janë deklaruar se xhelatina e përftuar nga eshtrat dhe lëkura e bagëtive dhe e derrave, transformohet krejtësisht nga substanca e cila përftohet dhe merr veti kimike të ndryshme nga vetitë e materies origjinale nga e cila u përftua. Kjo është ajo, që dijetarët e quajnë istihaaleh (transformim apo proces i ndryshimit të një substance në diçka tjetër). [2]
Në deklaratat e Organizatës së Shkencave Mjekësore Islame, ku u diskutua tema e “Harami dhe substancat e papastra në ushqim dhe në ilaçe”, në partneritet me Universitetin el-Ez’her, Këshillin e Fikhut Islam në Xhidde, zyrën rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetit në Aleksandri, dhe Ministrinë Kuvajtiane të Shëndetësisë, gjatë periudhës 22-24 dhul-hixheh, 1415 (22 maj, 1995), thuhet: “Ushqimet që përmbajnë yndyrë derri në listën e përbërësve, pa qenë ajo e transformuar (istihaaleh), siç janë disa lloje të djathit, disa lloje të vajit, të gjalpit, disa lloje të keksëve, të çokollatave dhe të akulloreve, janë haram dhe s’është e lejueshme të hahen fare, për shkak të konsensusit të dijetarëve se derrat janë të papastër (nexhis) dhe s’bën të hahen, dhe ngaqë s’ka ndonjë nevojë të domosdoshme për t’i ngrënë këto ushqime.

Istihaaleh, që do të thotë kalimi i një substance në një substancë tjetër me veti të ndryshme, është transformimi i një substance të papastër në një substance të pastër, apo transformim i një substance haram në një substancë që është e lejueshme sipas Sheriatit.
Bazuar në këtë: Xhelatina që prodhohet nga transformimi i eshtrave, lëkurës dhe
ligamenteve të kafshëve të papastra (nexhis), është e pastër (taahir) dhe e lejueshme të hahet. Sapuni që prodhohet nga transformimi i yndyrës së derrave apo kafshëve që nuk janë therur në mënyrën islamike (cofëtina), bëhet i pastër nëpërmjet këtij transformimi dhe është e lejueshme ta përdoret. Djathi që bëhet me anë të mullës (tharmit) nga kafshët mishi i të cilave mund të hahet, por të cilat nuk theren si duhet, është i pastër (taahir) dhe i lejueshme për konsumim. Nuk është e lejueshme të përdoren pomadat, kremrat dhe produktet kozmetike, të cilat përmbajnë yndyrë derri në listën e tyre të përbërësve, përveç nëse provohet se yndyra është transformuar dhe shndërruar në diçka tjetër; nëse kjo nuk provohet, atëherë ato janë të papastra (nexhis).”

islamqa.info

———————————

[1] I’laam el-Muwekki’în, 2/f. 14-15

[2] Tehrîm el-Intifaa bil-A’jaan el-Muharremeh, fq. 250-25