Pyetja:

Po shohim dhe po lexojmë, në disa gazeta, për disa operacione të cilat po i kryejnë disa kirurgë, në Evropë, me ç’rast arrijnë ta transformojnë femrën në mashkull dhe mashkullin në femër. A është kjo e vërtetë dhe a nuk konsiderohet kjo ndërhyrje në çështjet të cilat i përkasin vetëm Krijuesit, i Cili veçohet me krijim dhe formësim? Cili është gjykimi i Sheriatit për këtë?

***

Përgjigjja:

Nuk ka mundësi askush nga krijesat që të bëjë transformimin e mashkullit në femër dhe as të femrës në mashkull. Kjo është një çështje që nuk u përket mundësive të tyre, sado që ata të thellohen në studimin e materies dhe të përbërësve të saj. Kjo i takon vetëm Allahut. Allahu i lartësuar thotë:
Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i tokës. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron (fëmijë) femra kujt të dojë dhe Ai i dhuron (fëmijë) meshkuj kujt të dojë. Ose, Ai i dhuron të dy: edhe meshkuj, edhe femra, dhe Ai bën që të mbetet steril ndokush. Vërtet që Ai është i Gjithëdijshmi dhe Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.” (Shura: 4950)

Allahu i lartësuar, në këtë ajet, fillimisht, tregoi se vetëm Ai zotëron një gjë të tillë dhe vetëm Atij i përket ajo, dhe, në mbarim të ajetit, tregoi se dija dhe fuqia e Tij e plotë bëjnë që ato t’i përkasin vetëm Atij. Mirëpo, nganjëherë, i porsalinduri nuk dallohet se a është mashkull a femër. Mund të duket në fillim se ai është mashkull, por, në të vërtetë, ai është femër, ose e kundërta. Përgjithësisht, ky problem mënjanohet dhe del në pah e vërteta kur ai arrin moshën e pjekurisë dhe, rrjedhimisht, kirurgët i bëjnë një operim që i përgjigjet natyrës së tij, femërore qoftë apo mashkullore. Nganjëherë, s’ka nevojë as për hapje, as për operim. Ajo që mjekët bëjnë në këso raste, është zbulimi dhe nxjerrja në shesh e asaj që është prezent tek i linduri. Pra, ata nuk e kanë transformuar mashkullin në femër e as femrën në mashkull. Nga kjo kuptojmë sa ata nuk janë futur në çështjet që i përkasin Allahut, mirëpo vetëm se ua kanë zbuluar njerëzve atë që Allahu i lartësuar ua ka krijuar.

Komisioni i Përhershëm për Kërkime dhe Fetva, vëllimi 1, fq. 64, nr. 1542

Përktheu: Blerim Krasniqi