Pyetja:
A mund të përshëndetemi me grusht apo me bërryla në rast pandemie?
***
Përgjigjja:
Në përgjithësi, njerëzit janë të prirur që kohë pas kohe për shkaqe të caktuara, herë me prapavijë doktrinale, herë si shkak i zhvillimit shoqëror, e herë të tjera si shkak i rrethanave të caktuara, siç është virusi Covid-19, të sajojnë metoda të reja komunikimi, përshëndetje etj. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me rastin e koronës, ku njerëzit fillimisht në Perëndim filluan të përshëndeteshin me grushta, ose me bërryla, më pas një gjë e tillë u bë trend në vende dhe shoqëri të ndryshme.
Ndërsa Feja Islame na ka mësuar, se si duhet të jenë takimet mes muslimanëve, duke dhënë si fillim selam dhe duke u takuar nëpërmjet shtrëngimit të duarve.
Nga Berra ibn Azibi transmetohet, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo herë që dy muslimanë takohen duke shtrënguar duart e tyre do t’u falen mëkatet para se të ndahen.”
[1]
Në një hadith tjetër profetik, që përcillet nga Abdullah ibn Abasi i Dërguari i Allahut ﷺ
ka thënë: “Kur ta takojë muslimani vëllain e tij musliman dhe ia shtrëngon dorën do t’i bien mëkatet sikur bien gjethet e pemëve në dimër.” [2]
Kjo është forma standarde e takimit mes muslimanëve, ndërsa në rastin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse apo të epidemive të ndryshme ka transmetime të ndryshme, që tregojnë se dora nuk jepet për t’u ruajtur nga sëmundje të tilla, siç përcillet nga Profeti ﷺ se kur i kishin ardhur përfaqësues nga fisi Thekif për t’i dhënë besën për Islamin e tyre njëri nga ata ishte me lebrozë dhe Pejgamberi ﷺ i çoi lajm dhe i tha: “Mund të kthehesh, sepse besën ta kemi marrë edhe në këtë formë.” (pra pa u takuar me duar.) [3]
Ndërsa në rastin e epidemisë Covid-19 shumë njerëz e kanë zëvendësuar takimin me dorë duke takuar grushtet e tyre apo bërrylet si formë më e sigurtë për parandalimin e kalimit të epidemisë nga një person te tjetri. Nëse kjo formë takimi nuk është diçka specifike për një popull të caktuar jo-musliman apo e një kategorie të veçantë prej jo-besimtarëve, nuk është e ndaluar as për muslimanët, edhe pse nuk është diçka e preferueshme, sepse muslimanët mund të mjaftohen me selamin, ose duke vënë dorën në zemër siç është traditë e shqiptarëve dhe e shumë muslimanëve në botë.
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë
———————————
[1] Ebu Davudi dhe Tirmidhiu
[2] Taberani
[3] Nesaiu nr. 4182