Pyetja:
Në Kuran përmendet se Allahu i Madhëruar qëndron mbi Arsh. Ky ajet, a është në kuptimin figurativ, apo Allahu i Madhëruar qëndron vërtet mbi Arsh?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Cilësia hyjnore e istiuasë (ngritjes, lartësimit, ngjitjes, qëndrimit mbi Arsh/Fronin hyjnor) të Zotit, është një cilësi veprore e Zotit të Lartësuar, të cilën Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah (Ithtarët e Praktikës Profetike të Unifikuar në të) e pohojnë për Allahun e Madhëruar pa e devijuar nga kuptimi i saj (gjuhësor), në një formë të tillë që është e denjë për Allahun dhe pa e përngjasuar me istiuanë (ngritjen, lartësimin, ngjitjen dhe qëndrimin mbi fron) të krijesës, pasi askush nuk përngjan dhe shëmbëllen me Veten hyjnore të Allahut të Lartmadhëruar dhe as më Cilësitë e Tij hyjnore.
Më konkretisht, në lidhje me këtë realitet hyjnor, muslimani duhet t’i nënshtrohet parimit në vijim të theksuar prej dijetarëve muslimanë (të cilin e përcjellë tek ne imam Maliku): “Cilësitë e Allahut në aspektin gjuhësor dihen, sa i përket mënyrës së tyre ato janë të panjohura për ne, besimi në to është obligim, ndërsa të pyesësh rreth tyre është bidat (veprim pa bazë ligjore islame).”
Ky rregull në çështjen e istiuasë (ngritjes, lartësimit, ngjitjes dhe qëndrimit të lartësuar) të Allahut mbi Arsh (Fronin Hyjnor), duhet kuptuar si vijon:
Së pari: istiuaja e Allahut mbi Arsh (Fronin hyjnor), në aspektin gjuhësor dihet dhe më konkretisht kuptimet gjuhësore për këtë fjalë janë: ngritje, lartësim, ngjitje dhe qëndrim;
Së dyti: se si është realiteti i kësaj istiuaje nuk e di asnjë, por ajo që dihet është se një gjë e tillë është siç i ka hije Allahut të Pashoq dhe se nuk ka asnjë përngjasim mes istiuasë së Allahut mbi Arsh (Fronin hyjnor) dhe istiuasë (ngritjes, lartësimit, ngjitjes dhe qëndrimit) të krijesave mbi fronet e tyre;
Së treti: këtë cilësi veprore të Allahut të Madhëruar (ashtu si çdo emër dhe cilësi tjetër të Tij) jemi të obliguar ta besojmë, sepse për të na ka treguar drejtpërsëdrejti Kurani famëlartë, fjala e Allahut të Madhëruar;
Së katërti: pyetja mbi hollësirat e kësaj istiuaje është bidat (veprim pa bazë ligjore islame), sepse asnjë njeri nuk ka se ku të referohet për t’u përgjigjur për këtë çështje, prandaj dhe e tillë pyetje nuk është parë e arsyeshme të bëhet nga asnjë prej gjeneratës më të mençur të muslimanëve, sahabëve (shokëve të Profetit ﷺ) (Allahu qoftë i kënaqur me ata!), të cilët kanë qenë më të angazhuar se çdokush tjetër në njohjen dhe adhurimin e Allahut të Madhëruar.
Së pesti: Edhe pse disa artikulime (shprehje/cilësime gjuhësore) të emrave dhe cilësive hyjnore të Allahut të Madhëruar, janë të njëjta me ato të disa prej krijesave, është fakt se emrat dhe cilësitë hyjnore, përsa i përket thelbit apo realitetit të tyre, janë aq të ndryshme me ato të krijesës, sa dallimi midis Krijuesit dhe krijesës.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi