Pyetje: A shlyhet betimi rrejshëm, siç shlyhet zotimi për kryerjen e një veprimi?

Përgjigje: Betimi rrejshëm nuk shlyhet, sepse është betim në lajme që do të thotë: betim rreth një veprimi të ndodhur.
Nëse dikush gënjen në përcjelljen e një lajmi të tillë, atëherë ai do të marrë gjynahun e veprimit të tij dhe ky është ai që e ka quajtur Profeti -alejhi selam- “Betimi Zhytës” i cili e zhyt atë që e vepron në Zjarrin e Xhehenemit.

Ndërsa zotimet për kryerjen e ndonjë veprimi shlyhen, sepse janë betime për një gjë që do të ndodhë në të ardhmen që do të thotë se besimtari nuk po përcjell lajm rreth një veprimi të ndodhur, por zotohet se do të bëjë diçka në të ardhmen. Këtu besimtarit, nëse mbajtja e atij zotimi nuk i duket e përshtatshme, atëherë atij i lejohet të mos i përmbahet atij me kusht që ai ta shlyej atë.

➖Dijetari i njohur i Fikhut dhe hartuesi i enciklopedisë së tij Ibn Kudame -Allahu e mëshiroftë-, thotë:
Betimi në një gjë që ka kaluar (dmth: çdo gjë që njoftimi rreth tij quhet lajm) nuk shlyhet, sepse betimi në një gjë të tillë është tre llojesh:
Ose ai është betuar për një gjë të saktë dhe këtu nuk i kërkohet atij shlyerje (sepse ska arsye për shlyerje).
Ose ka gënjyer qëllimisht dhe ky është betimi zhytës. Këtu nuk ka shlyerje pasi ai ka bërë një veprim më të rëndë sesa mund të shlyhet.
Ose e ka menduar si të vërtetë dhe i ka dalë gabim. Ky quhet betim pa përgjegjësi (pasi Allahu ua ka hequr përgjegjësinë për betime të tilla) dhe nuk ka për të shlyerje

▪️Shih librin El-Mugnij!

 

/Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/