Pyetja:
Jam një vajzë 19 vjeçe, tash kam mbaruar shkollën e mesme, fali namaz dhe lexoj shumë. Ëndrra ime gjatë gjithë jetës ka qenë pranimi në fakultetin e mjekësisë, që të mund t’i ndihmoj sa më shumë njerëzit në shëndetin e tyre, vetëm që Allahu të jetë i kënaqur me mua. Kam punuar dhe lexuar për vite me radhë vetëm që të mund të pranohem, dhe nga ana tjetër në çdo namaz jam lutur te Allahu që të ma mundësojë pranimin. Por tani pas të gjithave nuk jam pranuar në fakultetin e mjekësisë dhe e kam një ndjenjë në zemër se ky s’ka qenë fati im dhe s’ka qene e shkruar për mua, përkundër që aq shumë jam munduar. Tani po kam dëshirë të konkurroj në një fakultet tjetër. Por të tjerët më thonë që të provoj prapë në mjekësi. Ju lutem, më këshilloni a të provoj prapë në mjekësi apo të vazhdoj aty ku tani ma do zemra, sepse unë po e ndjej që këtë e ka shkruar Allahu.
***
Përgjigja:
Nëse ndiheni e aftë (profesionalisht, materialisht dhe në planet jetësore të mëtutjeshme) për ta studiuar mjekësinë dhe mendoni se i keni marrë shkaqet e nevojshme për regjistrim në konsideratë, ju kisha preferuar që të mos ftoheni nga dështimi eventual në afatin e parë, por të provoni përsëri. Vërtet, çdo gjë është me caktimin paraprak të Allahut, të cilin ne nuk e dimë, andaj veproni sipas matjeve që Allahu i ka lënë në dispozicionin tonë e ato janë sebepet-shkaqet.
Mjekësia si drejtim është tejet i vështirë dhe do përkushtim të vazhdueshëm, por në anën tjetër është drejtim tejet human dhe social, nëse respektohen rendet e parapara të Islamit.
Provoni dhe mos u zhgënjeni as në veten e as në Allahun se nuk t’i ka pranuar duatë! Fshehtësitë i di vetëm Allahu.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku