Pyetja:

Pasi jemi tani në kohën e regjistrimit te studimeve, a më këshillohemi në lidhje me studimin e degës së Gjinekologjisë? Jam një vajzë, që kete vit e përfundoj shkollën e mesme dhe mendoj të shkoj më tej në studime.

***

Përgjigjja:

Së pari ju falënderoj për interesimin tuaj për të ditur gjykimin fetar, në këtë çështje në veçanti dhe në përgjithësi për fenë islame, në një kohë ku njerëzit që kërkojnë dhe ndjekin rrugën e vërtetë janë shumë të pakët.

Kjo çështje, pikë së pari, ka të bëjë me qëndrimin e femrave dhe meshkujve në një vend (Ihtilati), fenomen i përhapur pothuajse kudo.

Allahu e ka krijuar njeriun nga femra dhe mashkulli ku secili prej tyre anon tek tjetri. Allahu thotë në Kuran: “Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademit), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo…” (Araf: 189)

Kurse ndalimin e përzierjes së meshkujve me femrat Allahu e ka bërë në pozitën e një gardhi sigurie, që të mos çojë në veprime të ndaluara, duke shkatërruar kështu veten dhe shoqërinë. Përzierja që ekziston sot në shoqëritë tona, është një e keqe mjaft e madhe që ka pushtuar shumë muslimanë, gjë e cila çon në shumë gjynahe, më e vogla e saj është heqja e turpit nga femra dhe kjo është mjaftueshme për ta çuar në rrugë pa krye.

Kurani ka treguar një model të mrekullueshëm kur femra e ka të domosdoshme ose të nevojshme, të dalë jashtë shtëpisë së saj për të fituar njohuri, për tregti, etj., si këto, por me kusht që të jetë e mbuluar dhe e ruajtur nga përzierja e saj me burrat dhe se sapo të mbarojë veprimet e nevojshme të shpejtojë që të kthehet tek shtëpia e saj. Mënyra model për këtë është ajo që ka treguar Allahu për dy vajzat  dhe Musain (alejhi selam) kur thotë: “Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin tuaj?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak.” (Kasas: 25) Kur këto dy vajza e kishin të nevojshme për të dalë jashtë shtëpisë, e bënë një gjë të tillë, mirëpo u siguruan dhe u ruajtën duke qëndruar larg burrave derisa të mbaronin. Dhe jo vetëm kaq, por u përpoqën që të gjenin një zgjidhje për të mos u larguar nga shtëpia, siç thotë Allahu më poshtë: “O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim.” (Kasas: 26) Historitë në Kuran tregohen me qëllim që të marrim shembull nga profetët dhe njerëzit besimtarë të devotshëm.

Pra, si përfundim themi se përzierja e femrave me burrat është e ndaluar, sepse dëmi i tij nuk është vetëm për njërën palë, por përfshin edhe femrat edhe meshkujt. Nëse femra ose mashkulli është i detyruar për këtë, pasi nuk ka shkollë që nuk ka përzierje, atëherë sapo të mbarojë mësimet të largohet menjëherë nga ky vend dhe të kthehet në shtëpi. Kur gruaja është e detyruar që të punojë, sepse ndoshta nuk gjen kush t’i sigurojë rrëskun dhe nuk mund të gjejë punë vetëm se duke u futur në fakultet, lejohet për të që të marrë pjesë me kushtet e mëposhtme:

1. Të jetë e mbuluar dhe me veshjen e plotë islame, pa zbukurime dhe parfum.

2. Të qëndrojë sa më larg uljes afër burrave.

3. Të largohet bisedave me ta, kur nuk është e nevojshme, por nëse ka nevojë, të flasë qartë dhe pa e ndryshuar zërin dhe gjithçka që i cenon turpin. Gjithashtu t’i frikësohet Allahut nga devijimi që nuk e kënaq aspak Allahun. Kur e shikon që vetja e saj anon nga e keqja dhe nuk i bën përshtypje përzierja me burrat, atëherë është e detyrueshme që të largohet shkolla, sepse kush ka frikë Allahun Ai do t’i gjejë një rrugëzgjidhje.

4. Nëse është e mundur të jetë e fejuar ose e martuar, kjo është më e preferuar, sepse në këtë mënyrë është më e ruajtur nga harami.

Ndërsa për pikën e dytë të pyetjes, e cila ka të bëjë me qëndrimin larg shkollës, pra me udhëtimin. Nëse distanca është 80 km ose më shumë, atëherë të paktën për herë të parë nga qyteti juaj deri tek univeristeti duhet të keni shoqërues (nga vëllai, babai, daja, etj). Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk i lejohet një femre që beson në Allahun dhe Ditën Gjykimit të udhëtojë, një natë dhe një ditë, pa një shoqërues (mahrem-mashkull i rritur që nuk i lejohet martesa me të ose burri i saj).” [1]

Kurse pika e tretë është pothuajse si e dyta dhe duhet të kini parasysh që asnjëherë të mos dalë ndonjëra nga ju e vetme natën dhe të largohet me sa më shumë vendeve ku ka meshkuj.

Pyetja e fundit: Një pyetje tillë më është bërë para disa vitesh nga një motër nga Shqipëria (Durrësi) me të njëjtin nijet dhe argument, pra për dobinë e islamit dhe myslimanëve dhe një profesor në Medine më ka dhënë afërsisht atë përgjigjen që ju thashë në fillim, pra që lejohet me kushtet e përmendura më lart. Por, të kemi kujdes sepse secila motër e njeh veten e saj dhe gjithmonë feja për të jetë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Megjithatë, nga që jam nga Tirana, ju këshilloj që të konsultoheni edhe me ndonjë vëlla nga Kosova që ka mbaruar fakultet fetar sidomos nga ata që kanë dijeni dhe punojnë për islamin, sepse i njeh më mirë rrethanat atje, qoftë në fakultet apo edhe në konvikt.

Allahu e di më së miri.

Irfan Tota

—————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi