Pyetja:

Çka të veprojmë nëse dikush e shan Pejgamberin ﷺ para meje?

***

Përgjigjja:

Së pari të falënderoj për xhelozinë që ke për fenë dhe Profetin ﷺ.

Natyrisht që mbrojtja e Profetit ﷺ është detyrë për çdo musliman, secili sipas mundësive, qoftë me fjalë ose me vepra, por duhet të kemi kujdes që edhe këtë ta bëjmë me urtësi dhe vetëpërmbajtje. Prandaj edhe Allahu i ka thënë Musait dhe Harunit, për një nga mohuesit më të mëdhenj të të gjithë kohërave, Faraonit: “Flitni atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet”. (Ta Ha: 44)

S’ka dyshim se sharja e Profetit ﷺ është kufër, mirëpo injoranca tek njerëzit është shumë e madhe. Nëse do të ishim në një vend musliman çështja do të ishte ndryshe, mirëpo në këtë vend që ne jetojmë duhet të kemi shumë kujdes, sepse nganjëherë me vrullin edhe entuziazmin që kemi për fenë islame, e dëmtojnë fenë dhe muslimanët më shumë se mund t’u bëjmë dobi, për shkak të sjelljeve të pamatura. Shembujt për këtë janë të shumtë. Njerëzit nuk e kërkojnë të vërtetën dhe dëgjojnë vetëm atë që thuhet në media, prandaj një dijetar thotë: “Njerëzit janë në fenë e mediave të tyre. Gjithçka që dëgjon në mediat vizive ose lexon në gazeta e reviza, beson se ajo është e vërteta.”

Mundohu që ta këshillosh dhe t’i tregosh rrezikun e madh për fjalët që thotë, madje nësa ke mundësi t’i dhurosh një libër apo fletushkë që flet për Islamin dhe Profeti Muhamed (alejhi salatu ue selam) pastaj kërkoji diskutim për këtë çështje. Allahu ka thënë në Librin e Tij: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (Nahl: 125)

Ibn Kajimi për këtë ajet thotë: “Allahu ka përmendur tri fazat e thirrjes në rrugë të Allahut, sipas personit që e fton në këtë rrugë:

1. Kur është kërkues i së vërtetës dhe e do fenë, ky ftohet me urtësi.

2. Nëse është i zënë me të kotën dhe nuk e njeh të vërtetën, mirëpo nëse e mëson të vërtetën e pason. Ku ka nevojë që t’i përmendim ajetet dhe hadithet që e frikësojnë nga dënimi dhe i japin shpresë për të fituar mëshirën e Allahut.

3. Ose është kundërshtues i së vërtetës. Me këtë person debaton në mënyrën dhe formën më mirë. Nëse pranon është arritur qëllim, përndryshe i flitet më ashpër nëse e shikon që ka rezultat.”

Pra, siç e shikon, ky njeri futet tek rasti i tretë, prandaj duhet që të debatojmë me të mirë një herë dhe të mundohemi me të gjitha mundësitë që kemi, pastaj i flasim më me ton, por asnjëherë mos tento që ta detyrosh nëpërmjet dhunës, sepse kjo do të sjellë më shumë dëme se sa dobi. Shikoje me syrin e mëshirës që nuk e njeh të vërtetën dhe se do të dënohet nëse vazhdon në këtë rrugë.

Shejhul islam Ibn Tejmije thotë: “Ehlu Suneti janë njerëzit që e njohim më mirë të vërtetën, por që janë edhe më të mëshirshëm me të tjerët.” Allahu e di më së miri.

Irfan Tota