Pyetja:

Desha të di në lidhe me engjëjt që janë ngarkuar për të regjistruar veprat e njeriut gjatë jetës së tij, ‘mbikëqyrësit e rreptë’ që shënojnë çdo fjalë apo vepër të njeriut. A vdesin ata kur njeriu të cilin e kishin nën mbikeqyrje ndërron jetë. Çfarë ndodh me ta?

Përgjigjja:

Çështjet që kanë të bëjnë me engjëjt dhe veçoritë e tyre, bëjnë pjesë në dijen e fshehtë (gajbin). E vetmja mënyrë për të mësuar rreth tyre është nëpërmjet shpalljes hyjnore, Kuranit dhe traditës profetike.

Nuk ekziston asnjë tekst që të na tregojë nëse engjëjt e ngarkuar për shkrimin e veprave vdesin me vdekjen e njeriut që kishin nën mbikëqyrje. Po ashtu nuk ekziston asnjë tekst nga Kurani dhe tradita profetike e saktë që të na tregojë nëse ata jetojnë, apo të na tregojë se ç’ndodh me ta.

Kjo çështje i takon Allahut dhe ne nuk jemi obliguar të pohojmë se çfarë ndodh me ata engjëj, e natyrisht që nga kjo çështje nuk varet asnjë adhurim. Kjo pyetje dhe të ngjashmet me të janë angazhim rreth çështjeve të cilat nuk sjellin asnjë dobi.

Duke u nisur nga kjo, e këshillojmë pyetësin që të mos interesohet për çështje të cilat nuk i sjellin dobi. Përkundrazi, njeriu duhet të pyesë dhe të interesohet për çështje që i bëjnë dobi atij dhe muslimanëve të tjerë, qoftë ajo dobi që ka të bëjë me jetën e kësaj bote apo që ka të bëjë me të mirat e botës tjetër.

“Komisioni i Përhershëm i Fetvave” 2/185

Përktheu Edmond Ajdini

Burimi