Pyetja:
A lejohet që të agjëroj ditët kaza të mbetura nga Ramazani që shkoi në këto ditë të Dhul Hixhes dhe nëse po a më lejohet të bëj dy nijete edhe për agjërimin kaza edhe për agjërim vullnetar meqë adhurimet në këto ditë kanë vlerë më shumë?
***
Përgjigjja:
Është mëse e lejuar dhe nuk ka asnjë ndalesë për të agjëruar ditët kaza të Ramazanit që shkoi në ditët e muajit hënor Dhul Hixhe. Nga ana tjetër nuk është e nevojshme që të bashkosh dy nijete bashkë edhe për kryerjen e agjërimit kaza si detyrë (vaxhib) edhe si agjërim vullnetar, por mjafton të bësh nijetin për të kryer detyrimin për ditët kaza që të kanë mbetur nga Ramazani dhe të shpresosh nga Allahu që agjërimi kaza të ketë vlerë më shumë meqë po kryhen në këto ditë të mira dhe të preferueshme për të cilat Profeti ﷺ ka thënë: “Ditët në të cilat puna e mirë është më e dashur tek Allahu janë 10 ditët e Dhul-hixhes. Të pranishmit e pyetën: “Puna në këto ditë është më e mirë se sa vetë lufta në rrugë të Allahut?” Profeti ﷺ u përgjigj: Po! Vetëm nëse njeriu del me veten dhe pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk kthehet më.” [1]
—————————–
[1] Buhariu