Pyetësi: Vëllai ynë pyet dhe thotë se: “Ka një gjysh, i cili është rreth shtatëdhjetë vjeç, veçse nuk është falur më parë. Çfarë thoni, i nderuari Shejkh?”
Përgjigjja: Detyra është që të këshillohet ky gjysh para se t’i zbresë vdekja. Pasi, ai ka arritur një moshë të thyer dhe të madhe, si dhe është në rrezik që t’i vërsulet vdekja. Pra, detyra është që të këshillohet dhe të udhëzohet drejt së mirës, si dhe të këshillohet dhe të përkujtohet, me shpresën se Allahu do ta udhëzojë, me qëllim që të falë namazin.
Nëse ai pendohet dhe falet, nuk është i detyruar t’i kompensojë namazet që i kanë kaluar. Por duhet të nxitojë në pendim dhe të shpejtojë të pendohet para se t’i vijë vdekja. Atij i obligohet që të falet që nga momenti që pendohet tek Allahu – i Madhëruar dhe i Lartësuar. Atij i obligohet që të falet në vijim dhe t’i kërkojë falje Zotit të tij – të Madhëruar e të Lartësuar – për atë që ka kaluar. Po ashtu, ai duhet që të shtojë veprat e mira. Pasi, Allahu i fal ata që pendohen.
Ashtu sikurse ka thënë Allahu i Patëmeta:
وَإِنِّي لَغَفَّارٌ لِمَنْ تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا ثُمَّ اهْتَدَى
“E me të vërtetë, Unë jam Falës i Madh për atë që pendohet, beson, bën vepra të mira dhe pastaj i përmbahet Islamit”. [Taha: 82]
Po ashtu, Ai – i Fuqishmi dhe i Madhëruari – ka thënë:
وَالَّذِينَ لَا يَدْعُونَ مَعَ اللَّهِ إِلَٰهًا آخَرَ وَلَا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلَّا بِالْحَقِّ وَلَا يَزْنُونَ ۚ وَمَن يَفْعَلْ ذَٰلِكَ يَلْقَ أَثَامًا (68) يُضَاعَفْ لَهُ الْعَذَابُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَيَخْلُدْ فِيهِ مُهَانًا (69) إِلَّا مَن تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ عَمَلًا صَالِحًا فَأُولَٰئِكَ يُبَدِّلُ اللَّهُ سَيِّئَاتِهِمْ حَسَنَاتٍ ۗ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَّحِيمًا (70)
“Dhe ata që, bashkë me Allahun, nuk i luten ndonjë të adhuruari tjetër, as nuk e vrasin njeriun që Allahu e ka ndaluar të vritet, përveçse me të drejtë, dhe as nuk bëjnë imoralitet. Kushdo që i bën këto, do të marrë gjynah. Atij do t’i dyfishohet dënimi Ditën e Kijametit dhe do të qëndrojë në të i poshtëruar. Përveç atij që pendohet, beson dhe bën vepra të mira; të tillëve Allahu ua shndërron të këqijat e tyre në të mira. E Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirues.” [El-Furkan: 68-70]
Prandaj, ai duhet të pendohet tek Allahu me pendim të vërtetë: duke ndjerë keqardhje për atë që ka kaluar, të heqë dorë nga lënia e namazit dhe të vendosë me vendosmëri që të mos kthehet më tek ajo. Po ashtu, ta ruajë kohën e faljes së namazit me muslimanët.Po ashtu, duhet të shtojë veprat e mira, me shpresën që Allahu ta pranojë pendimin e tij dhe t’ia shndërrojë të këqijat në të mira. Po.
Shejh Bin Bazi
Burimi: https://binbaz.org.sa/fatwas/6297/ما-واجب-المسلم-تجاه-قريبه-الذي-لا-يصلي؟
Përktheu: Altin Dallashi




