Pyetja:

Çfarë do të thotë të këndosh Jasin?

***

Përgjigjja:

Bismilah, ues-salatu ues-selamu ala resulilah ﷺ.

Të këndosh Jasin për të vdekurin, do të thotë t’i këndosh suren Jasin, pasi ka vdekur, duke pretenduar se shpërblimet e këndimit të kësaj pjese kuranore i shkojnë të vdekurit. Kjo është ajo që është përhapur në vendin tonë, në trojet shqiptare dhe në disa troje muslimane.

Përsa i përket çështjes se i vdekuri ndien apo lehtësohet me këndimin e Jasinit apo diçka tjetër, nuk kemi argument. Çështja e të vdekurit është nga çështjet e të fshehtës (gajbit) dhe ne nuk kemi informacion rreth saj, kështu që nuk mund të flasim veçse me argument prej Kuranit famëlartë ose prej sunetit profetik.

Për mos t`u zgjatur shumë: ekzistojne dy thënie profetike (hadithe) për këtë temë:

I pari: “Këndojani Jasinin te vdekurit tuaj.” ky është hadith i dobët, i cili nuk merret për argument. Ne nuk mund ta marrim fenë nga hadithe të dobëta pa bazë.

I dyti: “Këndoni Jasin tek të vdekurit tuaj.” (me kuptim këndoni jasin tek ai që është gati për të vdekur, në mënyrë që të përkujtohet me këshillat që përmban surja Jasin). Ky hadith nuk ështe aq i dobët sa i pari, porse nuk mësohet se dikush prej të parëve tanë e ka vepruar një gjë të tillë (leximin e sures Jasin), as Profeti ﷺ, as sahabët e as tabi`inët.

Në ajetin 69-70 të sures Jasin Allahu i madhëruar thotë: “Ai (Kurani) nuk është tjetër vetëm se këshillë dhe Kuran i qartë. Për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë (me mend dhe me zemër) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët” pra, siç vërehet nga ajeti, Kurani ka ardhur për të gjallët dhe jo për të vdekurit…

Këndimi i sures Jasin për të vdekurin, duke shpresuar se ai lehtësohet në varr, ose merr shpërblimet për këtë lexim; është një vepër që nuk është vepruar as nga Profeti ﷺ e as nga shokët e tij. Feja e Allahut merret prej Allahut në Kuran, e sqaruar nga thënia profetike (hadith) ashtu siç e kanë kuptuar shokët e Profetit ﷺ.

Kështu veprohet me veprat që janë prej adhurimeve.

Për rastin konkret (leximin e Jasinit për të vdekur), nuk kemi asnjë prej argumenteve të lartëpërmendura të formës të saktë. Madje edhe dy thëniet profetike të cilat u përmenden më sipër janë të dobët.

Kështu që nuk lejohet të lexohet jasin për të vdekurin as ndonjë sure tjetër. Prej veprave të cilat ngelën shpërblimet e tyre tek njeriu edhe pas vdekjes së tij janë ato që ka përmendur Profeti ﷺ në hadithin e mëposhtëm (me kuptim):

“Nëse njeriu vdes i ndërpriten shpërblimet e veprave të tij veçse në tre raste: nëse ka lënë fëmijë të hajrit dhe ai lutet për të, nëse i ka mësuar njerëzit, dhe nëse ka bërë një vepër nga e cila përfitojnë të tjerët (si pus, ujësjellës etj)”

Pra ajo që i bën më shumë dobi njeriut pas vdekjes së tij është të veprojë mirë dhe të lërë fëmijë të mirë që ata të luten për të. Lutja për të vdekurin është ajo që ia lehtëson jetën e varrit. Lutja për të vdekurin është ajo që ka vepruar edhe Profeti ﷺ edhe shokët e tij, e jo leximi i Kuranit apo Jasinit.

Nëse gaboj, prej vetes time dhe prej shejtanit, e nëse nuk gaboj, atëherë vetëm prej Allahut të Madhëruar.

Eduart Jaho