Në shtratin e vdekjes

Çfarë duhet të bëjë një mjek kur dikush është në prag të vdekjes? Kur shenjat e vdekjes bëhen të qarta te pacienti dhe është e sigurt se koha e tij e caktuar ka ardhur, është rekomanduar t’i kujtohet dëshmia, La ilahe il-lAllah.
I Dërguari(alejhi selatu ue selam) ka thënë:“Nxitni ata të cilët janë në prag të vdekjes që të thonë: La ilahe il-lallah! (Shënon Muslimi)

Të kujtuarit duhet të bëhet me butësi. Mos thuaj: O filan thuaj La ilahe il-lAllah, sepse të ka ardhur koha e caktuar për vdekje!” Ti duhet së pari ta përmendësh Allahun dhe ta thuash dëshminë. Nëse ai të dëgjon, atij do t’i kujtohet dhe do ta thotë dëshminë inshaAllah. Natyrisht nëse ai është jobesimtar, nuk ka dëm që ju t’i thoni haptas dhe direkt: “Thuaj La ilahe il-lAllah.”

I Dërguari(alejhi selatu ue selam) i tha axhës së tij, Ebu Talibit, kur ai po vdiste. “O axhë, thuaj La ilahe il-lAllah, një fjalë me të cilën do të argumentoj për ty para Allahut.”

Njësoj i tha edhe të riut çifut, të cilin e vizitoi në prag të vdekjes: “O bir, thuaj La ilahe il-lAllah.”

Ai e përsëriti derisa djaloshi e tha atë dhe vdiq si musliman. Pastaj i Dërguari(alejhi salatu ue selam) tha: “Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut, i Cili e shpëtoi atë nga zjarri.” Shënon Ahmedi.

Personi i cili është duke vdekur, duhet të ketë mendime të mira për Zotin e tij dhe duhet ta mbledh veten, meqë mendja e tij mund të preokupohet me mendime për fëmijët e tij, borxhin ose varfërinë. Është me rëndësi t’i kujtohet se Allahu është Furnizues dhe krijues i të gjitha krijesave. Ai nuk do t’i braktisë ata (fëmijët e tij), kështu që le të jetë i qetë dhe në paqe

Dr. Muhamed Arfi
“Ngjalle jetën tënde”