Pyetja:

Çfarë është sheriati (legjislacioni Islam)?

***

Përgjigjja:

Sheriati (legjislacioni), është mesazhi që Allahu ka shpallur në librat hyjnor dhe për komunikimin e të cilit janë dërguar profetët, në mënyrë që njerëzit ta njohin atë mesazh dhe t’i përmbushin kërkesat që rrjedhin prej tij, në trajtë adhurimi për Allahun dhe duke u përkushtuar për t’u afruar tek Ai.

Këtë adhurim dhe afrim tek Allahu, e bëjnë sipas porosive të profetëve dhe udhëzimeve të tyre. Pra, sheriatin mund ta përkufizojmë: Metodologjia e duhur, që Allahu ia komunikoi pejgamberit të fundit, Muhamedit ﷺ. Siç e gjejmë të shprehur në ajetin Kuranor:

”Kjo është rruga Ime e drejtë të cilën duhet ta ndiqni, e jo të ndiqni rrugë të tjera të cilat u largojnë nga rruga Ime”. (Enam: 153)

Gjithashtu i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ ka thënë: ”Umeti im do të përçahet në 73 grupe, të cilat do të jenë që të gjitha në zjarr përveç njërit. E pyetën: Cili është ky grup i shpëtuar o i Dërguari i Allahut? Tha: ”Ata që ndjekin rrugën në të cilën jam unë dhe shokët e mi.” [1]

Çdo metodologji dhe rrugë e cila bie ndesh me këtë, si psh sektet sufije (tixhanije, nakshibendije, kadirije, etj) janë rrugë të shpikura, të cilat nuk aprovohen dhe që nuk lejohet të ndiqen për t’u afruar tek Allahu.

[Komisioni i Përhershëm i Fetvave 2/219]

Përktheu: Udha e Besimtarëve

————————

[1] Tirmidhiu