Prishja e martesave është prej gjynaheve të mëdha dhe është shëmbëllim me veprimet e magjistarëve dhe të shejtanëve.
Allahu i madhëruar në Kuran ka thënë:
“Ata (magjistarët) mësonin (prej shejtanëve magjinë) për të ndarë mes burrit dhe gruas së tij” (Sure El-Bekare: 102).
Thotë Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë):
Ndajnë mes tyre duke ndikuar në zemrat e tyre për të mbjellë urrejtje dhe dashakeqësi.
Ndërsa Profeti (alejhi selam) ka thënë:
“Iblisi e vendos arshin e tij mbi ujë dhe pastaj i dërgon çetat e tij. Më i afërti prej tyre me të është ai i cili bën sprovën më të madhe. Kur i vjen ndonjëri prej tyre dhe i thotë: Bëra këtë dhe këtë. I thotë nuk ke bërë gjë. Pastaj kur i vjen ndonjë tjetër dhe i thotë: Nuk e lash filanin derisa e ndava me gruan e tij, atëherë ai e afron duke i thënë: Ti je më i miri.”
E transmeton Imam Ahmedi dhe Muslimi.
Në këtë hadith shohim se prishja e martesave është një ndër punët më të pëlqyera të Iblisit, sepse Iblisi nëse arrin të prishë familjen, ka prishur çdo gjë dhe ka përhapur shkatërrim në tokë. Kjo tregon gjithashtu pse ndarja mes bashkëshortëve është përmendur në veçanti në Kuran si një ndër punët kryesore të magjistarëve, sepse magjistarët janë shërbëtorët e Iblisit dhe duke qenë se Iblisi e do shumë këtë punë, ata afrohen më shumë tek ai dhe marrin më shumë shërbime prej tij.
Për këtë arsye Profeti (alejhi selam) ka thënë në një hadith tjetër:
“Kush e prish një grua me burrin e saj nuk është prej nesh.”
E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Shejh Albani.
Fjala e tij “e prish një grua me burrin e saj” do të thotë: fut mes tyre përçarje dhe urrejtje dhe e shtyn atë për të mos ju bindur atij, siç thonë komentuesit e haditheve. Ndërsa fjala e tij “Nuk është prej nesh” do të thotë: nuk është prej atyre që bëjnë punët e besimtarëve, sepse puna e tij është punë shejtanësh dhe magjistarësh, dhe ata që të dy nuk janë besimtarë, por mohuesit më të mëdhenj.
Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli