Pyetja:

Çfarë ndodhë nëse nuk themi “Bismilah” para abdesit? Nëse personi nuk e thotë këtë cili është gjykimi në lidhje me abdesin e tij?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut! Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin për të Dërguarin e Allahut ﷺ, për familjen e tij, shokët e tij dhe për çdokënd që udhëzohet me udhëzimin e tij.

Përmendja e emrit të Allahut (thënia bismil-lah) kur merr abdes është sunet tek xhumhurët (shumica e dijetarëve). Disa dijetarë janë të mendimit se kjo është vaxhib (obligim). Prandaj kërkohet nga besimtari që mos ta lërë pa thënë (bismil-lah). Nëse ai harron apo nuk e di këtë, në këtë rast nuk ka asgjë për të dhe abdesi i tij është i saktë. Por nëse ai e lë qëllimisht duke e ditur gjykimin e sheriatit, ai duhet ta përsërisë marrjen abdes duke dalë kështu nga kundërshtimi i kësaj çështje në mesin e dijetarëve.

Transmetohet nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “Nuk ka abdes për atë që nuk përmend emrin e Allahut”. Ky hadith ka ardhur nga disa rrugë. Një grup nga dijetarët në lidhje me këtë hadith kanë thënë se nuk saktësohet dhe është daif. Hafidh Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë se ky hadith është hasen (i mirë) për shkak të rrugëve të shumta të tij. Kështu që, është hasen ligajrihi. Prandaj kërkohet nga besimtari që të përpiqet ta përmend Allahun (të thotë bismil-lah) në fillim të abdesit të tij. Po kështu edhe besimtarja. E nëse harron (ta thotë) apo nuk e di këtë, në këtë rast nuk ka problem.

Shejh Ibën Baz, “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 29

Përktheu: Unejs Sheme