Pyetja:

Cila është dispozita e faljes së namazit të ajeteve (shenjave hyjnore frikësuese), ku bëjnë pjesë dukuritë, si: tërmetet, përmbytjet, shtrëngatat, vërshimet etj?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Në lidhje me qëndrimin e përmbledhur të juristëve muslimanë rreth faljes së namazit të ajeteve jashtë rastit të dukurisë së eklipsit, Hafidh Ibn Rexhebi ka thënë: “Dije se preokupimi me namaz individual në shtëpi gjatë ndodhisë së shenjave frikësuese hyjnore, është i pëlqyeshëm sipas mendimit të shumicës së dijetarëve muslimanë dhe kjo është përmendur edhe nga (imam) Shafi’i dhe kolegët e tij… Subjekt mospajtimi (mes juristëve muslimanë) është (fakti) nëse: (së pari) falet apo jo ky namaz në grup (me xhemat) dhe (së dyti) falet apo jo me dy ruku si namazi i eklipsit.”

Më konkretisht, lidhur me qëndrimet e juristëve muslimanë sa i përket faljes së namazit të ajeteve, thuhet sa vijon:

Rasti i parë: Falja individuale (pa xhemat) e namazit të ajeteve

Shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se falja individuale (pa xhemat) e namazit gjatë ndodhisë së shenjave hyjnore frikësuese (gjëmave / fatkeqësive të rënda të ndryshme, sidomos tërmetit), është vepër e pëlqyeshme3, bazuar në tekstet e transmetuara nga sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ata!) dhe tek kijasi / arsyetimi analogjik (krahasimor) me eklipsin, ndërkohë që në lidhje me këtë çështje nuk është se ka ndonjë transmetim autentik profetik.

Rasti i dytë: Falja me xhemat e namazit të ajeteve

Mendimi i parë: Ligjërohet / Lejohet falja e këtij namazi me xhemat

Një mendim i fuqishëm (që përbën mendimin më parësor) lidhur me këtë çështje, është ai se namazi me xhemat i trajtës së namazit të eklipsit (njohur ndryshe si Namazi i Ajeteve) është i lejuar të bëhet në rastin e çdo shenje (dukurie) të madhe frikësuese me të cilën Allahu i frikëson robërit e Tij, sidomos në rastin e tërmeteve.

Ky mendim është mbështetur nga shumë juristë muslimanë dhe më konkretisht ai përbën: (së pari) mendimin lejues të medh’hebit hanefi (të cilët thonë se ky namaz si rregull ligjërohet individualisht, por lejohet të falet edhe në grup) dhe (së dyti) përbën mendimin pëlqyes të medh’hebit hanbeli (se pëlqehet falja e tij në grup në trajtën e namazit të eklipsit të diellit); dhe është mbështetur edhe nga Is’haku, Ebu Theuri etj.

Mendimi i dytë: Nuk lejohet falja e këtij namazi me xhemat

Një tjetër mendim i fuqishëm në këtë kontekst (lidhur me Namazin e Ajeteve gjatë dukurive përveç eklipsit, të cilat bëjnë pjesë tek shenjat hyjnore frikësuese), është edhe: (së pari) mendimi i medh’hebit maliki se për këto shenja (përfshirë tërmetin) nuk falet asnjë namaz dhe (së dyti) mendimi i medh’hebit shafi’i se për këto shenja (përfshirë tërmetin) nuk ka namaz specifik në grup (me xhemat), por është mirë që për to të falet vetëm namaz individual si namazi nafile (vullnetar). Referuar në mendimin e dytë, mendimi më i fuqishëm është që në rast tërmeti duhet të falet namaz individual dhe jo me xhemat.

Allahu e di më mirë.

Bashkim Aliu