Pyetja:

Vëllai im ka ndërruar jetë duke u vetëvrarë, por ai la një letër ku kishte shkruar disa herë: “Parajsa apo Zjarri… Parajsa apo Zjarri…” Ai besonte në Ditën e Ringjalljes, në Xhenet dhe Xhehenem… Mamaja e tij është lënduar shumë, por ajo po bën durim në këtë çështje, që i përket vendimit dhe caktimit të Allahut të Madhëruar. A më lejohet mua që të bëj në dobi të tij, çfarë lejohet të bëhet në përgjithësi në dobi të muslimanit të vdekur, si: lëmosha, lutja etj.?

Përgjigja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Mendimi i saktë mbi muslimanin që bën mëkate të mëdha, sado të mëdha qofshin ato, është se bërësi i tyre nuk është prej banorëve të përhershëm të zjarrit (mosbesimtarëve) dhe kjo vlen edhe për muslimanin që vetëvritet.

Së pari: Dispozita e vetëvrasjes

Vetëvrasja përbën një prej gjynaheve më të mëdha dhe për të Allahu i Madhëruar ka thënë: “dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju. Këdo prej jush që e bën këtë përdhunisht dhe padrejtësisht, Ne, pa dyshim, do ta hedhim në zjarr. Kjo është shumë e lehtë për Allahun.”
(Nisa: 2930)

Gjithashtu në lidhje me këtë mëkat të rëndë, në transmetimet profetike vjen: “Kush e vret veten me një send hekuri, ndëshkohet me të në zjarrin e Xhehenemit” dhe vjen: “Kush e vret veten e tij me send hekuri, sendi i tij i hekurt do jetë në dorën e tij dhe me të do ta shqyej barkun e vet në zjarrin e Xhehenemit…

Pavarësisht faktit se vetëvrasja konsiderohet prej mëkateve më të rënda dhe të urryera, dijetarët e Ehlus-Sunneh Uel Xhema’ah (Ithtarëve të Praktikës Profetike të Unifikuar në të), janë të mendimit se nëse i vetëvrari nuk e ka bërë hallall (të ligjshëm) haramin (të paligjshmen), pra në rastin në fjalë nuk e ka konsideruar të ligjshme vetëvrasjen dhe nëse kur është vetëvrarë nuk e ka pasë braktisur fenë islame; në këtë rast ai nuk konsiderohet jobesimtar.

Së dyti: Falja e namazit të xhenazes së muslimanit të vetëvrarë

Po kështu, sa i përket faljes së namazit të xhenazes së muslimanit të vetëvrarë, dijetarët muslimanë janë të mendimit se pavarësisht këtij mëkati të rëndë të bërë prej të vetëvrarit, këtij të fundit i falet namazi i xhenazes nga një grup muslimanësh të cilët nuk janë prej elitës së shtetit islam, ndërsa elitarët (si: qeverisësi musliman, gjykatësi musliman dhe ngjashëm me këta, pra elita qeverisëse dhe ajo fetare), nuk ia falin xhenazen, me qëllim që të tërhiqet vërejtje kundrejt këtij mëkati shumë të madh që ka bërë i vetëvrari.

Pikërisht në këtë kontekst transmetohet se “Profeti ﷺ, kur është lajmëruar për një prej muslimanëve që kishte vrarë veten e tij me një bajonetë, ka thënë: “Sa më përket mua, unë nuk do t’ia falë atij xhenazen”,- ndërsa të tjerët Profeti i la t’ia falnin xhenazen.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi