Pyetja:

Jam nëne e tre djemve, profesioni im është ekonomiste. Elhamdulilah unë i fal të 5 kohët e namazit, vishem me të gjata, por nuk ende nuk e kam vendosur shaminë. E di që është gjynah por i trembem humbjes së vendit të punës.

Mundohem të lexoj sa më shumë rreth islamit, por jam ende shumë prapa. Kam lexuar se jacia falet vetëm deri në mesnate, ndërsa vitri deri sa pa hyrë sabahu. Mirëpo djali i madh  më thotë se edhe jacia falet deri në sabah. Cila është e vërteta?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.

Lus Allahun të na forcojë në fenë e Tij. Ajo që thoni se nuk e vendosni shaminë për shkak të humbjes së vendit të punës, ky nuk është arsyetim. Femra muslimane e ka detyrë vënien e shamisë dhe nuk i lejohet asaj të dalë nga shtëpia pa shami dhe nuk i lejohet të shfaqë pjesët e trupit të saj. Allahu thotë në Kuran:

Thuaju edhe besimtarëve të ulin shikimin dhe t’i mbrojnë vendet e turpit si dhe të mos i nxjerrin hapur zbukurimet e tyre përveç asaj që është e dukshme (si fytyra dhe pëllëmbët e duarve) dhe të vënë shamitë në kokë dhe kraharorin e tyre.” (Nur: 31)

Dhe thotë Allahu në Kuran:

O Pejgamber! Thuaju grave tuaja dhe bijave të tua dhe grave të besimtarëve të vënë shamitë (mbulesën) e tyre  mbi gjithë trupin.” (Ahzab: 59)

Nuk duhet që muslimani të frikësohet nga rrisku, sepse Allahu është Furnizues për të gjitha krijesat, por duhet të bëjë shkaqet dhe t’i mbështet Allahut. Allahu thotë për këtë në Kuran:

“Dhe kush ka frikë Allahun dhe përmbush detyrimin ndaj Tij, Ai do t’i sjellë rrugëdalje për çdo vështirësi dhe do t’i sjellë atij rrësk (furnizim, e të mira) nga ku se mendon dhe kushdo që mbështetet, i vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij plotësisht.” (Talak: 2-3)

Rreth kohës së fundit të namazit të jacisë ka dy mendime:

Shumica e dijetarëve shikojnë që namazi i jacisë ka dy kohë:

1. Koha e përzgjedhur, e cila është e pëlqyeshme që të falet namazi në të dhe kjo është deri në mesnatë dhe nuk duhet të kalohet kjo kohë vetëm në rast nevoje apo pamundësi për ta falur në këtë kohë.

Koha e cila pason kohën e përzgjedhur, ku njeriu nuk ka mundësi ta falë jacinë në kohën e përzgjedhur. Dhe kjo kohë zgjat deri në agim (kohën e thirrjes së ezanit të sabahut).

2. Ndërsa disa dijetarë të tjerë shikojnë se fundi i namazit të jacisë është mesi i natës, kështu që nuk lejohet të falet pas mesit të natës. Këtë mendim e kanë zgjedhur dijetarët e njohur si: imam Sheukani, Sadik Hasen Han dhe ky është një mendim i Imam Malikut, gjithashtu e kanë zgjedhur këtë mendim shejh Albani, shejh Ibn Bazi dhe shejh Ibn Uthejmini (Allahu i mëshiroftë të gjithë!).

Atë që shikojmë të saktë lidhur me këtë çështje është që koha e jacisë është deri në mesnatë dhe nuk lejohet të kalohet mesi i natës, sikurse është mendimi i dytë i dijetarëve.

Argumentet për këtë janë të shumta ndër to përmendim:

1. Hadithi i Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të) që thotë: “Profeti ﷺ e ka vonuar namazin e jacisë deri në mesnatë dhe pastaj është falur.” [1]

2. Hadithi i Abilahi ibn Amru (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Dhe koha e namazit të jacisë deri në mesnatë.” [2]

3. I ka shkruar Omer Ibn Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të) Ebu Musës El-Esharij (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Dhe fale namazin e jacisë nga koha e hyrjes së saj deri në mesnatë dhe nëse e vonon atë mos e kalo mesnatën dhe mos ji prej të pakujdesshmëve.” [3]

Ndërsa argumentet e mendimit të parë të dijetarëve nuk janë të qarta dhe të forta për të dëshmuar që namazi i jacisë falet deri për sabah.

Allahu e di më së miri.

Hariz Allkoçi

———————

[1] Buhariu.

[2] Muslimi.

[3] Imam Maliku, Tahaviju, Ibn Hazmi dhe e ka saktësuar shejh Albani.