Pyetja:
Cila është kundërpërgjigjja ndaj mohuesve të disa prej emrave dhe cilësive të përsosura hyjnore?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Debati mes pohuesit të të gjitha cilësive hyjnore të ardhura në Kuran dhe Traditën Profetike (me arsyetimin se pohimi i tyre nuk nxjerr si domosdoshmëri trupëzimin/gjymtyrizimin e Zotit dhe përngjasimin e Tij me krijesën) dhe mohuesit të disa prej këtyre cilësive hyjnore (me arsyetimin se pohimi i tyre nxjerr si domosdoshmëri trupëzimin/gjymtyrizimin e Zotit dhe përngjasim e Tij me krijesën), ka rrjedhën në vijim:
– (Pohuesi) Ajo që unë them për pohimin që u bëj të gjitha cilësive dhe emrave hyjnorë që Kurani dhe Tradita Profetike ia ka cilësuar Allahut të Madhëruar, është si ajo që thua ti për ato cilësi që pohon.
– (Mohuesi) Unë nuk i pohoj lartësimin hyjnor, fytyrën hyjnore, qëndrimin hyjnor mbi Arsh etj., në kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë, sepse e tillë gjë përbën felëshim, pasi nxjerr si domosdoshmëri ose shtron si hipotezë, trupëzimin/gjymtyrizimin e Zotit dhe përngjasimin e Tij me krijesën, duke qenë se ai që cilësohet kësisoj nuk është e logjikshme që të jetë tjetër përveçse trup (substancë e krijuar).
– (Pohuesi) Nuk ka absurditet dhe pavërtetësi më të madhe, se të konsiderohet qoftë edhe një prej kuptimeve të drejtpërdrejta të teksteve hyjnore, rrjedhojë kategorike (e prerë) apo hipotetike (e hamendshme), për rënien në felëshim a përngjasim të Krijuesit me krijesën; e lëre më të thuhet kjo për qindra kuptime të drejtpërdrejta të Kuranit dhe Traditës Profetike… Gjithsesi, është fakt se ti i pohon për Zotin cilësitë e vetvetes, jetës, diturisë, aftësisë, dëgjimit, vështrimit, të folurit dhe vullnetit, edhe pse bazuar në supozimin tënd, i cilësuari me cilësitë e mësipërme nuk është e logjikshme të jetë tjetër përveçse trup. Përderisa është e justifikueshme për ty që t’i pohosh këto cilësi duke thënë se “i cilësuari me to nuk është trup”, pse të mos jetë e justifikueshme edhe për mua ajo që është e justifikueshme për ty, pra pse të mos jetë e justifikueshme për mua që t’i pohojë fytyrën hyjnore apo qëndrimin hyjnor mbi Arsh, nën konsideratën (arsyetimin) se “i cilësuari me to nuk është kurrsesi trup”
(Mohuesi) Cilësitë që pohoj unë janë kuptime, kurse ato që pohon ti janë njësi (pjesë/gjymtyrë të krijuara).
– (Pohuesi) Është e vërtetë se cilësitë hyjnore që ti i pohon, si: kënaqësia, zemërimi, dashuria dhe urrejtja janë kuptime, por ndërkaq ti pohon për Zotin cilësitë hyjnore, si: dëgjimi, vështrimi dhe të folurit, të cilat janë dukuri (efekte) që (logjikisht) nuk mund të bëhen fakt i kryer përveçse në prani të trupit (substancës).
Përderisa është i justifikueshëm për ty pohimi i këtyre cilësive hyjnore, ndonëse ato (në të drejtën e Zotit) nuk janë dukuri (efekte të krijuara) dhe vatra e tyre nuk është trup (substancë e krijuar), po kështu edhe për mua është e justifikueshme t’i pohojë cilësitë si dora, fytyra, lartësimi hyjnor mbi Arsh, ndonësë ato (në të drejtën e Zotit) nuk janë njësi (pjesë/gjymtyrë të krijuara) dhe vatra e tyre nuk është trup (substancë e krijuar).
– (Mohuesi) Thënia jote se Zoti është lart nënkupton anë (vendndodhje), kurse ne themi se ciësia e lartësisë për Zotin nuk ka ardhur në kuptimin e anës por ka ardhur në kuptimin e pozitës, pasi ana nënkupton se Ai është i kufizuar.
– (Pohuesi) Më sipër u cek se ti pohon cilësinë e të folurit, dëgjimit, vështrimit apo ngjashëm, nën konsideratën se një gjë e tillë nuk është si tek krijesa dhe nuk angazhon trupëzim dhe as gjymtyrizim të Zotit.
Përderisa është i justifikueshëm për ty pohimi i këtyre cilësive hyjnore, po kështu edhe mua më lejohet të them se Allahu është lart por jo me kuptimin e lartësisë në botën e krijesave dhe kjo nuk angazhon që Ai të jetë trup (substancë e krijuar).
– (Mohuesi) Thënia juaj se Allahu qëndron mbi Arsh do të thotë se Ai gjendet në një vendndodhje (hapësirë) dhe duke qenë se vendi është i kufizuar nga gjashtë dimensionet (anët) e njohura (para, mbrapa, lart, poshtë, majtas dhe djathtas), kjo angazhon që edhe i gjenduri në të, të jetë i kufizuar.
– (Pohuesi) A mos po do të thuash se mbi Arsh ekziston koncepti (kuptimi) gjashtë dimensional i vendit (hapësirës)?! Siç u tha më sipër, kur ne themi se Zoti është lart mbi Arshin e Tij, me këtë nënkuptojmë se me Arshin ka përfunduar bota e krijesave e krijuar prej Zotit dhe përtej kësaj nuk ka gjë përveç Zotit.
– (Mohuesi) Ne nuk pohojmë që prej Zotit të ndodhin cilësi veprore (hyjnore) të reja, sepse e tillë gjë nxjerr si domosdoshmëri që veprimet e Zotit të jenë krijesa më vete dhe t’i nënshtrohen ndodhisë (të jenë të krijuara); së këtejmi i bie që vepruesi i tyre të jetë i krijuar si ato dhe të mos jetë amshimisht i përhershëm?
– (Pohuesi) Cilësitë veprore (hyjnore) të reja, ne nuk i pohojmë nën konsideratën se ato janë krijesa më vete apo gjenden jashtë Vetvetes hyjnore të Zotit, por i pohojmë si veprime të sojit të amshueshmërisë që i realizon Vetvetja e amshueshme e Zotit, sipas vullnetit, zotësisë dhe gjithë/plotfuqishmërisë së Tij, kur, si dhe me se do Zoti, sepse Ai është i gjithëfuqishëm për çdo gjë që do dhe kryen atë që do. Përndryshe, nëse do shpreheshim kundër kesaj, kjo s’ka dyshim se me hir ose pahir, përbën limitim të plotë/gjithëfuqishmërisë dhe vullnetit hyjnor të Zotit.
Së fundi, na mbetet të shtrojmë pyetjen: A sa u përmend më lartë nga ne pohuesit është më në përputhje me natyralitetin njerëzor, apo sforcimi i mohuesve përmes cilësimit të Zotit se Ai: nuk është as brenda botës dhe as jashtë saj, as në të majtë të botës dhe as në të djathtë të saj, as sipër botës dhe as poshtë saj, as pas botës dhe as para saj… dhe të tjera filizofi kuturu të kësaj natyre?
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi